Minxhozi: Trump dhe dashuria false e Berishës për konservatorët amerikanë

Më të fundit


Duket se Sali Berisha po përjeton një rizgjim ideologjik të djathtë, qëkurse ka dalë në Foltoret e tij në krah të Evi Kokalarit, e cila reciton përmendësh sloganet e konservatorëve amerikanë dhe mallkon vaksinat. Zoti, familja, prona, atdheu, Bibla e Kurani – në fjalimet e Berishës gjen aktualisht një retorikë shabllone të djathtë nga ato që mbushin rëndom manualet elektorale të partive të djathta në Perëndim.

Ky rizbulim i i këtij dekalogu ideologjik nuk është i panjohur për Berishën. Prej 30 vjetësh ju premton fjala vjen pronat pronarëve, duke qenë njëherësh përgjëgjesi kryesor politik për mishmashin dantesk të pronave në këtë hark kohor. Berisha ka folur gjithnjë “djathtas”, por jo gjithmonë edhe ka vepruar djathtas. Është një lider populist i thekur që flet të njëjtën lehtësi hipokrite edhe për politikat konservatore të Reganit, edhe për të pabukët e rrethinave që s’kanë ç’të hanë e duhen ndihmuar.

Megjithatë ka një veçanti djathtizmi i kësaj radhe në Foltoret e Sali Berishës. Është një nga ato aspekte që po të bësh sikur s’i shikon apo kupton, mund t’i anashkalosh fare lehtë e pa u vënë re. I ndikuar ndoshta edhe nga prezenca e aktivistes Kokalari, Berisha ka ndërtuar gradualisht një tezë në fjalimet e tij, e cila është sa e pavërtetë, aq edhe e sajuar e false. Ish-kryeministri është ankuar para fansave të tij në mënyrë të përsëritur, se “gogoli socialist” Soros ka influencuar administratën amerikane që ai të shpallet “non grata”.

Për ta bërë më të besueshme tezën e tij fantapolitike për Xhorxh Sorosin, Berisha qep me pe të bardhë një teori të tërë, e cila konkluzionin e ka si vijon: unë nuk u dënova në kohën e republikanëve dhe Trumpit, por po shpallem i padëshëruar tani që Uashingtonin e qeverisin të majtët e Bajdenit e Blinkenit.

Duke shkuar përtej Sorosit, Sali Berisha po thur tani për publikun shqiptar versionin sipas të cilit ai është një viktimë e të majtës amerikane në pushtet. E cila influencohet në vendimet e saj nga degëzime të tilla si Soros e të tjerë armiq që ai paska në SHBA për shkak se është pozicionuar fort kundër ndryshimit të kufinjve të Kosovës!

Kjo teori i ngjan një Frankenshtajni politik, sepse ka kaq shumë të pavërteta e kontradikta, saqë është krejt e pamundur ta marrësh seriozisht.

Së pari, ndryshimi i kufinjve të Kosovës është një projekt i përfolur gjatë periudhës kur në SHBA qeveriste Donald Trump. Ka plot detaje dhe të dhëna që flasin për një përfshirje të rrethit të ngushtë të këshilltarëve të Trump në këtë iniciativë që u shtri edhe në shtetet e interesuara më pas, përkatësisht Serbinë e Kosovën. Të thuash se administrata Bajden po godet Berishën për diçka që u gatua nën administratën paraardhëse është një sajesë e dobët që nuk qëndron në këmbë.

Së dyti, e më e rëndësishmja kur vjen puna tek dënimi aktual i zotit Berisha, e djathta trumpiste ka qenë po kaq dashamirëse ndaj Edi Ramës në pushtet në Tiranë, sa edhe administrata e sotme e Xho Bajdenit. Nuk kanë mbajtur me hatër PD, në dëm të PS. E kundërta është e vërtetë. Mjafton të kujtohet fakti i thjeshtë, që Rama pati suport të jashtëzakonshëm amerikan gjatë krizave të Çadrës në 2017, si dhe gjatë djegies së mandateve dy vjet më vonë, për të kuptuar se Berisha po ja fut thjesht kot në teoritë e tij. Edi Ramën në pushtet e mbajti Trump, para se ta mbante Bajden!

Para se të evokojë një rikthim të konservatorëve amerikanë në Shtëpinë e Bardhë pas tre vjetësh, Sali Berisha bën mirë të kujtojë se ishin këta të fundit që i mbanin dorën Lulzim Bashës që t’i vinte flakën Kryeministrisë, sa herë që në Tiranë kishte protesta. Më shumë gjasë Edi Rama është ndjerë më mirë me Donald Trump në krye të shtetit amerikan, sesa me Xho Bajden, të cilin s’e ka takuar ende pas zgjedhjes president.

Është e vështirë që një rotacion politik në Uashington të jetë zgjidhja për pozitën ku ndodhet sot Sali Berisha. Dënimi i tij është diçka më tepër se një lojë ushtarësh e oficerësh në fushën e shahut në SHBA. Sajesa e teoremës Soros dhe letrat e dashurisë për konservatorët amerikanë, janë një histori e dobët e sajuar, me të cilën Doktori po përpiqet t’i vendosë një diçiturë sa më të pranueshme fatit të tij të keq politik. Nuk ka xherah “të djathtë” që e shëron fundin e një karriere të një politikani që s’do t’i zbresë kurrë kalit të pushtetit.



Skip to toolbar