Numri i vendeve të lira të punës në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur një rekord të lartë, sipas shifrave të fundit zyrtare, në cilat rezultojnë 1.1 milionë vende vakante midis korrikut dhe shtatorit, tha Zyra për Statistikat Kombëtare, niveli më i lartë që kur filluan regjistrimet në 2001. Rritja më e madhe e vendeve të lira u vu re në sektorin e shitjes me pakicë dhe në riparimin e automjeteve.
Shkalla e papunësisë në Mbretërinë e Bashkuar u vlerësua në 4.5%, krahasuar me një normë prej 4% para pandemisë. Zyra për Statistikat Kombëtare tha se numri i punonjësve në listat e pagave tregoi një rritje tjetër mujore, duke u rritur 207,000 në një rekord 29.2 milionë në shtator. “Tregu i punës ka vazhduar të rimëkëmbet nga efektet e koronavirusit. Vendet e lira gjithashtu arritën një rekord të ri njëmujor në shtator, në afro 1.2 milion, me vlerësimet tona të fundit që sugjerojnë që të gjitha industritë të kenë të paktën aq punë në ofertë tani sa para fillimit të Covid-19“-tha Darren Morgan, drejtor në ZSK.
Kancelari Rishi Sunak tha se ishte “inkurajuese” të shohësh strategjinë e punës së qeverisë. “Numri i shkurtimeve të pritshme mbeti shumë i ulët në shtator, ka më shumë punonjës se kurrë, shkalla e papunësisë ka rënë për tetë muaj rresht”- tha Sunak. Sidoqoftë, Yael Selfin, shefja e ekonomisë në KPMG në Mbretërinë e Bashkuar, tha se mungesat e tregut të punës “mund të pengojnë” rimëkëmbjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar nga pandemia.“Rimëkëmbja po teston kapacitetin e ekonomisë për t’u përshtatur me një mjedis të ri post-pandemik, një detyrë e bërë më e vështirë nga disponueshmëria e zvogëluar e punëtorëve jashtë shtetit”- deklaroi ajo.