Akuza për prostitucion dhe trafikim, sekuestrohen 150.000 euro pasuri e dy vëllezërve në Tiranë

AKTUALITET


Dy vëllezërve me precedentë penalë iu është sekuestruar pasuria me vlerë 150.000 euro. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë me dije se specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Bëhet fjalë për dy vëllezërit Arjel dhe Oltjon Legisi, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj jetës. Nga të dhënat e marra shtetasi Arjel Legisi është arrestuar në Spanjë në 2018 pasi akuzohet për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, e kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasi Oltjon Legisi, është nën hetim nga autoritetet Spanjolle për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur dhe “Shfrytëzim i prostitucionit”.

Gjithashtu, në zbatim të këtij procedimi si dhe vendimit të Prokurorit u bë sekuestrimi i pasurive të shtetasve të lartpërmendur dhe familjarëve të tyre që arrijnë vlerën 150.000 euro. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.



Skip to toolbar