Akademiku Artan Fuga është i mendimit që nëse një deputet është i korruptuar duhet të shkojë në burg. I ftuar në emisionin “Real Story”, ai tha se deputeti nuk duhet të jetë i mbrojtur.
Fuga nënvizoi se jeta politike në Shqipëri duhet të qarkullojë, ndërsa për PD, tha se ka nevojë të demokratizohet.
“Deputetët e korruptuar duhet të shkojnë në burg. Deputetët kanë shumë privilegje, ata nuk përfaqësojnë vullnetin e vërtetë të elektoratit. Janë të shkëputur nga elektorati. Ne kemi shumë deputetë në numër. Shoqëria është e varfër, me deputetë të pasur.
Populli shikon deputetë që jetojnë jashtë kushteve dhe mundësive që realisht duhet të kenë. A mundet dot që ky deputet apo ata deputetë që janë të korruptuar të ndëshkohen dhe spastrohen duke shkelur të drejtat kushtetuese të qytetarëve? Unë këtu them që kjo më shumë na dëmton se sa na bën mirë.
Problemi im nuk është a duhet të spastrohet klasa politike nga të korruptuarit. Po e them edhe njëherë që një deputet i korruptuar e ka vendin në burg. Të mos ketë asnjë mbrojtje, s’ka arsye. Jeta politike duhet të qarkullojë ujërat e ndotura. PD ka nevojë të demokratizohet.
Si rezultat i përplasjes brenda PD, që ndodh për arsyet që dihen, nëse në PD instalohen fraksionet që arrihet një konsensus që zoti Basha do të ketë një fraksion dhe Berisha në fraksion, këtë do e cilësoja si gjë pozitive. Nëse nga kjo parti do të dilnin 2-3 parti që do të sillnin njerëz të rinj, pse jo”, tha Fuga.