Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit u shoqërua me përplasje të forta mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Shkak u bë propozimi i depuetit Petro Koçi në lidhje me miratimin e rregullores.
Socialisti propozoi që në rendin e ditës të ndryshohej togfjalëshi “vazhdim i miratimit të rregullores” me togfjalëshin “shqyrtim i miratimit të rregullores”.
Ky propozim pati miratimin e menjëhershëm nga anëtarët e Partisë Demokratike. Në këtë moment ndërhyri përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili, i cili tha se rregullorja dhe katër nene janë miratuar tashmë në parim dhe mbledhja e sotme nuk mund të jetë kurrësesi një mbledhje shqyrtimi të rregullores, por vazhdim i asaj që është miratuar më përpara.
Pjesë debati:
Petro Koçi: Përderisa ne të gjithë që ne kemi një informacion që ka një konsensus në lidhje me procedimin e mbledhjes, propozoj që në pikën tre të rendit të ditës të hiqet fjala “vazhdimi” dhe të vendoset fjala “shqyrtimi”.
Enkelejd Alibeaj: Jeni dakord me propozimin e zotit Koçi për të zëvendësuar fjalën vazhdim me fjalën shqyrtim! Po miratohet.
Petrit Vasili: Ore të bëj një pyetje. Që t’i kemi të qarta edhe miratimi në parim nuk qëndron, po apo jo? Ky është moment për t’u sqaruar se këtu u bë pazari i gjësë.
Nëse është votuar në parim ky është vazhdim, nëse ka rënë dhe ai votim në parim unë po ngrihem po iki, në kuptimin e mirë të fjalës.
Enkelejd Alibeaj: Ka qenë votimi në parim, ka qenë unanim, por votimi nen për nen nuk shkoi deri në fund. Për ta zgjidhur ngërçin unë kam bërë një gjest kalorsiak që duhet të bëjë gjithsecili.
Petrit Vasili: Ore Një minutë. Ore nuk jemi këtu ne për të akomoduar psikopatira. Ne po themi që votim në parim dhe katër nene kanë pasur dakordësi, atëherë ecim më tutje. Keni frikë nga kjo?
Enkelejd Alibeaj: Nuk ka lidhje me frikën ka të bëj me gjetjen e një gjuhe të përbashkët.