“Do bëhesh milioner”, si mashtroheshin të huajt nëpërmjet “Call Center”

AKTUALITET


‘Investoni në bursë për të rritur fitimet tuaja’ ishte thirrja nga telefoni që u vinte me mijëra qytetarëve në të gjithë Europën përmes disa Call Center-ave në Tiranë.  Po kjo thirrje në fakt ishte thjeshtë një mashtrim për shumicën e shtetasve të huaj, paratë e të cilëve përfundonin në llogaritë offshore të Call Center-ave që ishin në Tiranë.

Pas denoncimeve dhe hetimeve të nisura, Prokuroria e Tiranës u ka dërguar letër porosi bankave të nivelit të dytë për të parë llogaritë dhe transaksione e këtyre Call Center-ave përgjatë 2 viteve të fundit.

Gjithashtu prokuroria i është drejtuar edhe Drejtorisë së Tatimeve për të bërë bilancin e këtyre bizneseve, por edhe kompanive telefonike për thirrjet e  kryera ndaj shtetasve gjermanë, holandezë, italianë dhe francez nga kanë ardhur edhe denoncimet.

Pre e mashtrimit të Call Center-ave kanë rënë mbi 1 mijë shtetas të huaj, ku shuma e vjedhur ndaj tyre, gjoja për të investuar në bursë, shkon në miliona euro, pasi vetëm një personi mund t’i jetë vjedhur deri në 500 mijë euro.

Pas hetimeve të policisë për identifikimin dhe lokalizimin e call center-ave që dyshohen se përdorin sistemin FOREX për të zhvatur me qindra qytetarë evropianë me fabulën se do kenë fitime të mëdha në qoftë se investojnë në bursë, Prokuroria shqiptare ka përcjellë letër porosinë e homologëve evropian, si Gjermania, Italia dhe disa vendeve nordike për të identifikuar e lokalizuar selitë e telefonatave agjentëve të rremë.

Telefonatat kryesisht u bëheshin të moshave më të thyera, ku u kërkonin që të investonin  kursimet e tyre në këtë lloj burse pasi për pak kohë fitimi do të dyfishohet. Por një gjë e tillë nuk ndodh asnjëherë. Përkundrazi, të gjithë ata që pranojnë të dërgojnë paratë përmes bankës, i humbasin edhe para ata përgjithmonë.

Përgjithësisht, ‘call center’ që funksionojnë në formën “Forex” qëndrojnë në treg për pak kohë, aq sa mund të vjedhin qytetarë pa u kuptuar nga autoritetet dhe më pas zhduken pa lënë gjurmë. Vetëm me një kërkim të thjesht në QKB rezulton se 11 kompani të ndryshme përdorin FOREX në Shqipëri.

Forex, ose shkëmbimi i huaj, mund të shpjegohet si një rrjet blerësish dhe shitësish, të cilët transferojnë valutë mes njëri-tjetrit me një çmim të rënë dakord. Është mjeti me anë të të cilit individët, kompanitë dhe bankat qendrore konvertojnë një monedhë në tjetrën – nëse keni udhëtuar ndonjëherë jashtë shtetit, atëherë është e mundur që ju keni bërë një transaksion Forex. Ndërkohë që një shumë e këmbimit valutor është bërë për qëllime praktike, shumica dërrmuese e konvertimit të monedhës ndërmerret me qëllim të fitimit të fitimit. Shuma e valutës së konvertuar çdo ditë mund të bëjë lëvizjet e çmimeve të disa monedhave shumë të paqëndrueshme. Është kjo paqëndrueshmëri që mund të bëjë FOREX kaq tërheqëse për tregtarët: duke sjellë një shans më të madh të fitimeve të larta, duke rritur gjithashtu rrezikun./ shqiptarja.com



Skip to toolbar