Pas një ngërçi të gjatë, demokratët lanë mënjanë ndarjet midis progresistëve dhe centristëve për të miratuar një paketë prej 1 trilion dollarësh mbi infrastrukturën, duke e dërguar ligjin për t’u nënshkruar nga presidenti Joe Biden.
Votimi 228 me 206 që u krye të premten vonë, është një triumf thelbësor për demokratët e presidentit Biden, të cilët janë grindur për muaj të tërë mbi faturat ambicioze të shpenzimeve që përbëjnë pjesën më të madhe të agjendës së tij të brendshme.
Administrata e presidentit Biden tani do të mbikëqyrë përmirësimin më të madh të rrugëve, hekurudhave dhe infrastrukturës tjetër të transportit në Amerikë në një gjeneratë, përmes të cilit ai ka premtuar se do të krijojë vende pune dhe do të rrisë konkurrencën e Shteteve të Bashkuara.
Demokratët kanë ende shumë punë për të bërë në shtyllën e dytë të programit të brendshëm të presidentit Biden: një zgjerim gjithëpërfshirës të rrjetit të sigurisë sociale dhe programet për të luftuar ndryshimet klimatike. Me një çmim prej 1.75 trilion dollarësh, kjo paketë do të ishte zgjerimi më i madh i rrjetit të sigurisë amerikane që nga vitet 1960, por partia është ende në përpjekje për t’u bashkuar rreth tij.
Udhëheqësit demokratë shpresonin të miratonin të dy projektligjet nga Dhoma e Përfaqësuesve të premten, por centristët kërkuan sërish që të sigurohen fondet para se të miratohet paketa e dyte – një proces që mund të zgjasë disa javë.
Pas disa orë takimesh me dyer të mbyllura, një grup centristësh premtuan se do ta votonin projektligjin deri më 20 nëntor, për sa kohë që Zyra e Buxhetit e Kongresit gjen se kostot e tij përputheshin me vlerësimet e Shtëpisë së Bardhë.
“Mirë se erdhët në botën time. Kjo është Partia Demokratike,” u tha gazetarëve kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi më herët gjatë ditës, duke përshkruar partinë e saj si të hapur për qëndrime të ndryshme.
Demokratët po përpiqen të miratojnë paketat e propozuara nga zoti Biden, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e Virxhinias për guvernator, një paralajmërim se shumica që demokratët gëzojnë në Kongres mund të jetë në rrezik në zgjedhjet për organin legjislativ që mbahen vitin e ardhshëm.