Kriza politike në Mal të Zi, Gjukanoviç: Koha për ndryshime

AKTUALITET


Në Mal të Zi vazhdon përshkallëzimi i krizës qeveritare dhe mosmarrëveshtjet në radhët e shumicës. Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq që është dhe Kryetari i partisë më të madhe opozitare (PDS) vlerëson, se është koha për ndryshime dhe se “duhet të përpiqemi për një shumicë më të gjerë për të thyer më lehtë rezistencën që çdo qeveri dhe politikë has kur dëshiron të emancipojë shoqërinë. Prandaj është shumë e rëndësishme që në periudhën e ardhshme të tregojmë gatishmëri për të zgjeruar kapacitetet tona të koalicionit, për të krijuar kushte për krijimin e shumicës më të gjerë dhe më të fuqishme pro-evropiane në Mal të Zi”.

Sipas Gjukanoviq mazhoranca aktuale në pushtet dëshiron ta kthejë Malin e Zi “dekada, ndoshta edhe shekuj prapa”. “Mendoj se ata duan të na kthejnë në Mesjetë dhe të zgjidhin sfidat aktuale me të cilat përballet njerëzimi modern me dogma fetare nga Mesjeta”, duke shtuar se “Mali i Zi nuk ka nevojë për këtë. Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të vitit teëkaluar pas 30 vitesh, Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) dhe partnerët e saj të koalicionit kaluan në opozitë, me një deputet më pak se koalicioni i tanishëm tre anëtarësh i kryesuar nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA, që mbështesin qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Derisa shumica qeveritare në Mal të Zi tenton që deri në fund të kësaj jave (të premten me 12 nëntor) të gjejë një zgjidhje për vazhdimin e qeverisjes, në radhët e opozitës po shtohen zërat për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Debat në parlamentin e Malit të Zi

Analisti i zhvillimeve polikike në Mal të Zi Zlatko Vujoviq thotë për Deutsche Welle-n, se tashmë është e qartë se shumica parlamentare nuk mund të arrijë një konsensus, qoftë edhe për gjërat elementare. Ndaj tash sa muaj flitet për rikompozimin e skenës politike ose mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. “Një opsion është formimi i qeverisë së pakicës e kombinuar me ekspertë dhe politikanë, ose vetëm qeveri politike, e cila do të kishte përkrahjen e opozitës që do të krijonte kushtet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, e me këtë do t’i jepej fund krizës politike” nënvizon Vujoviq.

Shqiptarët në pushtetin e ri – jo me ç’do kusht dhe jo me këdo

Në radhët e opozitës aktuale janë dy deputetë të koalicioneve shqiptare. Për politikanen shqiptare, Hatixhe Gjoni ,,Situata politike në Mal të Zi që nga 30 gushti i vitit të kaluar është me shumë trazira politike brenda radhëve të koalicionit qeveritar dhe për çdo kënd është vështirë të parashikojë se cili variant mund të sjellë stabilitet në Mal të Zi.” Ajo çfarë paraqitet si mundësi është formimi i një koalicioni të zgjeruar i përbërë nga disa parti të pushtetit aktual që do të inkuadronin dhe parti të tjera politike. Këto parti, thotë për Deutsche Welle-n Hatixhe Gjoni, duhet të kenë një platformë të përbashkët ku në fokus do të ishte shteti i Malit të Zi, integrimet evropiane, NATO, etj.

Politikanja shqiptare, Hatixhe Gjoni është e mendimit, se partitë shqiptare edhe pakicat e tjera në Mal të Zi është mirë të jenë pjesë e pushtetit, por jo pjesë e pushtetit me çdo kusht ose me çdo kënd.



Skip to toolbar