A do vijojë Zaev në krye të qeverisë? Kuvendi mblidhet për mocionin e votëbesimit

Më të fundit


Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka ndryshuar qëndrimin lidhur me dorëheqjen e parlajmëruar, teksa thotë se nuk e dorëzon atë për shkak të rrezikut të shkuarjes së vendit drejt destabilizimit. Por, parlamenti po përgatitet për mocionin e mosbesimit ndaj tij të ngritur nga opozita. Opozita thotë se i ka 61 votat e nevojshme për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev pas një takimi të Këshillit më të lartë partiak mbrëmë, ka vendosur që të vazhdojë ta drejtojë qeverinë dhe partinë e tij, Lidhja Social Demokrate edhe përkundër dorëheqjes së njoftuar më 31 tetor. Zoti Zaev bën të ditur se partia dhe ai kanë vendosur kështu për shkak të gjendjes së krijuar dhe rrezikut nga destabilizimi i vendit si në aspketin politik, ekonomik e shëndetësor.

Por, se a do të vazhdojë ai të qëndrojë në krye të qeverisë do të vendosë parlamenti të enjten në debat mbi nismën e opozitës për një mocion mosëbesimi ndaj tij. Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare së bashku me Lëvizjen Besa, e cila aktualisht bën pjesë në koalicionin qeveritar, thonë se kanë 61 vota të nevojshme për ta rrëzuar kryeministrin Zaev dhe kabinetin e tij qeveritar.

Zoti Zaev thotë se kur paralajmëroi dorëheqjet më 31 tetor, theksoi se do të qëndrojë këtu për të ndihmuar ruajtjen e shumicës parlamentare dhe mundësisht për ta zgjeruar atë. “E këtillë është përgjegjësia ndaj shtetit dhe popullit dhe është e logjikshme t’i përkushtohem këtij procesi”, thotë Zoran Zaev.

Ai thotë se është me rëndësi që shteti “të mos kthehet përsëri në të kaluarën me zënka edhe brenda edhe jashtë vendit, në rrezikimin e proceseve Euro-atlantike dhe se vendi ndodhet në pandemi, në krizë energjetike”.

Zaev thekson shpresat për ruajtjen e shumicës demokratike parlamentare të orientuar kah rruga Euro-atlantike, shoqëria shumëetnike, ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe reformat pozitive në vend.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja e opozitës e akuzon pushtetin se po ushtron trysni dhe shantazh kundër ligjvënësve, të cilët do të votojnë shkarkimimin e kryeministrit Zaev dhe kabinetit të tij.

Nga ana tjetër, Lëvizja Besa është e vendosur të largohet nga qeveria me BDI-në dhe social-demokratët për t’iu bashkuar eventualisht një shumice të re të drejtuar nga VMRO-ja për ta rrëzuar qeverinë aktuale, në të cilën Lëvizja Besa ka një post ministri, atë të Bujqësisë.

Së fundmi, edhe deputeti Skender Rexhepi i Alternativës u bind t’i bashkohet shumicës së paralajmëruar, nismën e së cilës fillmisht e refuzoi për shkak të pranisë në listë të dy deputetëve nacionalistë të partisë E Majta, të cilët kanë shfaqur qëndrime kundër NATO-s, kundër shqiptarëve dhe avancimit të të drejtave të tyre, kundër Kosovës dhe kundër SHBA-së.

61 ligjvënës janë të nevojshëm për ta rrëzuar qeverinë, për çka opozita thotë se i ka. Nëse kjo ndodh, atëherë presidenti i vendit duhet që në një afat prej dhjetë ditësh t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë një subjekti që garanton se e ka shumicën parlamentare.

Sidoqoftë, analistët vlerësojnë se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe situata në të cilën po hyn, e thellon jo vetëm krizën politike dhe zvarrit reformat, që si rezultat do të vonojnë edhe përpjekjet për integrimin evropian



Skip to toolbar