Një shqiptar është dënuar me burg në Britaninë e Madhe pasi përdhunoi një vajzë të re të dehur në gjumë. Ngjarja ndodhi në Leeds, ndërsa mësohet se shqiptari i dënuar është 28-vjeçari, Ardit Çela.
Sipas mediave britanike, Çela nuk ka treguar mëshirë ndaj viktimës së tij. 28-vjeçari e pikasi të renë teksa ajo po flinte në një dhomë dhe ishte e dehur.
Sipas hetimeve, e reja është zgjuar në gjendje shoku kur ka vënë re që Çela po kryente marrëdhënie seksuale me të. Pavarësisht thirrjeve për ndihmë, ai nuk ka ndaluar.
Kanë qenë disa persona të tjerë të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e Çelës nga banesa. Ai u kap më pas nga policia teksa po shkonte në shtëpi me tren.
Shqiptari mohoi sulmin dhe tha se marrëdhëniet ishin kryer në mënyrë konsensuale. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2018. Ndërkohë këtë vit, Çela u shpall fajtor.
“Ajo ishte adoleshente me të ardhme të ndritur. Ka ngelur e pasigurtë pas përdhunimit. Ka vuajtur nga sulmet e ankthit, e pamundur për të fjetur dhe shëndeti i saj mendor është dëmtuar. Marrëdhënia e saj me të tjerët është ndikuar së tepërmi”, tha gjyqtari Simone Philips i cili dënoi shqiptarin.
Ndërkohë, avokati i tij duke kërkuar një masë më të zbutur tha se Çela kishte lindur në Shqipëri, por kishte mundur që të merrte nënshtetësi greke.
28-vjeçari kishte shkuar në Britani në vitin 2017 në përpjekje për t’u bërë infermier, por kishte dështuar për shkak se nuk fliste mirë anglishten.