Qeveria irakiane ka njoftuar se të enjten do të organizojë fluturimin e parë të riatdhesimit, mbi baza “vullnetare”, për qytetarët e saj të bllokuar në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë.
“Iraku do të kryejë fluturimin e parë për ata që dëshirojnë të kthehen vullnetarisht më 18 nëntor”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ahmed al-Sahaf.
Dje Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki i ka bërë thirrje NATO-s që të marrë “hapa konkretë” për të zgjidhur krizën me emigrantë në kufirin me Bjellorusinë.
Në kërkesë ai ka shtuar se Polonia, Lituania dhe Letonia kanë të drejtë që përmes nenit 4 të marrëveshjes me NATO-n të kërkojnë konsultime nëse besojnë se integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre është në kërcënim.
Autoritetet polake thanë se presin një tentativë masive nga emigrantët për të thyer kufirin me forcë, një ditë pasi më shumë se 200 prej tyre tentuan që të hynin me forcë te shteti anëtar i Bashkimit Evropian.
Mijëra njerëz, kryesisht nga Lindja e Mesme, janë të bllokuar në kampe të improvizuara në kushte të këqija në anën e Bjellorusisë, të gjetur në qendër të një sherri diplomatik që po përshkallëzohet në mes të Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi dhe BE-së.
Bjellorusia pret sanksione të reja në lidhje me krizën në kufi, pasi zyrtarë të BE-së po e akuzojnë Lukashenkon që ka provokuar këtë krizë për të minuar sigurinë e shteteve të bllokut lindor në BE. Ai i mohon këto akuza.
Më herët, rojet e kufirit thanë se kanë regjistruar 223 tentativa për kalim ilegal të kufirit një ditë më parë, derisa zyrtarë policorë kanë thënë se ishin sulmuar gjatë mbrëmjes derisa po ndodhte tentimi për të kaluar kufirin.