Kryeministri Rama ka bërë një paralajmërim të fortë për Presidentin Meta, ku të dielën nga Burreli ka deklaruar se me anulimin e dekretit të 30 qershorit, presidenti Ilir Meta e humbi të drejtën për të qëndruar në zyrën e tij.
Në takimin elektoral me simpatizantët e PS në Burrel, teksa prezantonte kandidatin Agron Malaj, Kryeministri Rama është shprehur se dekreti i presidentit është një akt nul dhe nuk i ndalon zgjedhjet e 30 qershorit.
“Dje papritur u shfaq shpëtimtar i atyre që kishin mbajtur atje në rrugë, presidenti i Republikës duke paralajmëruar një akt që politikisht është vetëvrasjes, ligjërisht është nul dhe moralisht është turp dhe s’ka më turp dhe mos u çudisni nëse ju them se nga fronti shpëtimtar i opozitës nuk është çmenduria e fundit, do ketë edhe gjëra të tjera. Do apo s’do Saliu, do apo s’do fallxhorja, zgjedhjet do mbahen në 30 qershor. Kushtetuta nuk është filxhan që e rrotullon nga të duash. Dje Ilir Meta e ka shkuar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në këtë zyrë dhe jo sepse kështu them unë por sepse kjo që shikoni është dhe do jetë pasqyra e një të vërtete, që do t’iu bëhet shumë e qartë. Kjo luftë nuk është për bashkitë. Gjithë kjo orvatje për ta çuar Shqipërinë në orvatje nuk bëhet për disa bashki, por sepse kërkohet një pazar për të varrosur reformën në drejtësi, kërkohet rrëmujë për të goditur të vetmen forcë që do të jetë mbështetësja e reformës në drejtësi dhe e zbatimit të saj për të kaluar nga ligjet te gjyqet. Ilir Meta mund të bëjë një dekret për t’i shpallur luftë Amerikës, por kjo është e palogjikshme”, tha Rama nga Burreli.
Nuk dihet nëse ky paralajmërim i Ramës i paraprin një kërkese për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Shkelja e Kushtetutës është një nga pikat e parashikuara në Kushtetutë, ku Partia Socialiste mund të kërkojë shkarkimin e Presidentit. Për shkarkimin e Presidentit Meta duhet një propozim me të paktën ¼ e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe duhet të votohet me të paktën nga 2/3 e deputetëve të parlamentit.