Kjo e premte shënon 2 vjetorin e tërmetit tragjik, që tronditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019, ku në ora 03:56, një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda dhe për pasojë humbën jetën 51 qytetarë dhe mbi 1000 të tjerë u plagosën.
Pallate, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie shqiptare e të vendeve fqinje ishte tabloja e asaj tragjedie, mëngjesin e 26 nëntorit të 2019-ës.
Shumë familje humbën banesat, bizneset, të cilat u kthyen në rrënoja, ndërsa ende shumë prej tyre vijojnë që të qëndrojnë nëpër çadra.
Epiqendra e tërmetit ishte 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, ndërsa nga lëkundjet u prekën 11 bashki, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi.
Padyshim që pasojat u ndjenë në shumë bashki; Shijak, Krujë, Kamëz, Kavajë, Kurbin, Lezhë, Rrogozhinë dhe Mirditë. Dëmet më të mëdha u regjistruan në Kodër-Thumanë, ku u shemb një pallat 5 katësh, ndërkohë që dëme të mëdha përjetoi edhe Laçi.
Kujtojmë se 300 çadra emergjencash u ngritën pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për t’iu ardhur në ndihmë për strehim rreth 1,000 personave.
Gjithashtu tërmeti solli edhe solidarizimin e të gjitha shteteve botërore, duke e shprehur nëpërmjet ndihmave të shumta financiare, apo sjelljen e shumë prej forcave të kërkim-shpëtimit, të cilët luftuan për nxjerrjen e trupave nën gërmadha bashkë me forcat shqiptare.
Aktualisht vijon procesi i rindërtimit në shumë bashki, ndërsa ka familje që kanë hyrë në banesat e tyre të reja si dhe shumë të tjera që pritet të futen këto ditë, duke shpresuar për një jetë të re. Gjurmët e natës së 26 nëntorit të dy viteve më parë janë në kujtesën e kujtdo, që sot kujton se jeta dhe vdekja ndahen me pak sekonda.