Albi Xhunga: Dash s’ka prova. Spak po!

Më të fundit


Pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor, pasurim të paligjshëm për vete, familjarët dhe aleatët e tij politikë, Sali Berisha këmbëngul në publikimin e provave nga Sekretari i Shtetit. Por nuk është në praktikën e DASH tw japë prova për të shpallurit non grata. Askush nuk ka bërë përjashtim deri më sot nga ky rregull. Asnjë provë nuk është publikuar për tre personat e shpallur non grata në Shqipëri përpara Sali Berishës, asnjë provë nuk është publikuar as për të shpallurit e SHBA-ve non grata në vende të tjera të Botës. Arsyeja është e thjeshtë. SHBA-të nuk kanë prova për të shpallurit non grata. 

Ligji i vitit 2008 që i lejon Sekretarit të Shtetit të shpallë non grata persona të përfshirë në korrupsion madhor, në pengimin e drejtësisë, apo në shkeljen e të drejtave të njeriut, nuk e detyron Sekretarin e Shtetit të japë prova për vendimet e tij. Nëse lexojmë ligjin, ose më saktë Klauzolën për Anti-Kleptokraci dhe për të Drejtat e Njeriut, siç quhet neni 7031 (c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to, thuhet se; Në bazë të kësaj klauzole, Kongresi i kërkon Sekretarit të Shtetit të pengojë hyrjen në SHBA të zyrtarëve të huaj për të cilët Shefi i Diplomacisë Amerikane ka informacion të besueshëm se ‘’kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt, ose jo drejtpërdrejt në korrupsion në nivel të lartë, përfshirë korrupsion që lidhet me shfrytëzimin e burimeve natyrore, ose përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut’’. Ky ligj është amenduar disa herë përgjatë viteve. Një amendim i vitit 2015 specifikon se Sekretari i Shtetit mund edhe t’i idenfitikojë publikisht personat e shpallur non grata, amendim nga i cili pati ‘’nderin të përfitojë’’ edhe Sali Berisha.

Pra ligji ku bazohet kompetenca e Sekretarit të Shtetit për shpalljen non grata të zyrtarëve të huaj nuk e ngarkon këtë të fundit të publikojë prova për vendimet e tij. Në ligj flitet për ‘’informacion të besueshëm’’, jo për prova. 

Pse DASH nuk jep prova

Këtu lind nevoja të definojmë se çfarë do të thotë provë kur bëhet fjalë për akuza penale, siç janë korrupsioni madhor, pengimi i drejtësisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut. Duke mos pasur të bëjmë me një përdorim të termit provë si psh ‘’provë dashurie’’, ‘’provë force’’ etj, por me një përdorim të qartë juridik, atëherë është e gjithëpranuar se një provë që të konsiderohet si e tillë duhet të jetë e validuar nga një gjykatë. Duke qenë se DASH është një pushtet ekzekutiv dhe jo një pushtet gjyqësor, ligjvënësi amerikan e ka shkarkuar Sekretarin e Shtetit nga detyrimi i dhënies së provave dhe në ligj nuk flitet për provë, por për ‘’informacion të besueshëm’’

Duke qenë se kjo masë merret për zyrtarë të shteteve ku drejtësia është inekzistente, apo e kapur, DASH nuk ka sesi të ketë prova në kuptimin gjyqësor të këtij termi ndaj zyrtarit në fjalë. Nëse këto prova do të ekzistonin, do të thotë se ato do të ishin validuar nga një gjykatë, pra sistemi gjyqësor i shtetit në fjalë funksionon dhe zyrtari do të ishte prapa hekurave. Në këtë rast DASH nuk do të kishte nevojë ta shpallte non grata, duke e goditur publikisht zyrtarin e korruptuar.

Nëse aludojmë se në vend të provave DASH do të publikonte informacionet ku është bazuar vendimi i shpalljes non grata (pa marrë parasysh informacionin e klasifikuar), atëherë DASH do të hynte në një debat qesharak me personat e shpallur non grata prej tij, ku do të diskutohej çfarë është provë e çfarë jo. 

Argumenti kryesor mbrojtës i Sali Berishës është se ai dhe familjarët e tij nuk kanë qenë kurrë të akuzuar për korrupsion. Këtu Berisha e ka fjalën për akuza zyrtare nga prokuroria, pasi akuzat e medias, shoqërisë civile apo palëve të treta nuk kanë munguar. Është e vërtetë se Sali Berisha apo familjarët e tij nuk janë akuzuar kurrë nga prokuroria për korrupsion, por nëse në këtë vend organi i akuzës nuk do të ishte impotent, i kapur e i korruptuar, atëherë Sali Berisha dhe familjarët e tij do të ishin në bankën e të akuzuarve dhe DASH nuk do të kishte nevojë t’i shpallte ata non grata. 

Edhe kërkesat e kongresmenit të New York-ut, Lee Zeldin, i cili kërkon informacione shtesë mbi shpalljen non grata të Sali Berishës nuk kanë marrë dhe nuk mund të marrin përgjigje të kënaqshme. Sekretari i Shtetit nuk ka asnjë detyrim ligjor për të dhënë informacion (kongresmeni nuk ka kërkuar prova, por informacion shtesë) mbi këtë çështje. Nëse ligji amerikan do ta detyronte Sekretarin e Shtetit të jepte informacion lidhur me këtë çështje, kongresmeni Zeldin nuk do shkruante letër pas letre për të marrë këtë informacion, por do t’i drejtohej një gjykate, e cila do ta detyronte DASH t’i përgjigjej kongresmenit. 

Ka vetëm një organ i cili ka tagrin t’i ofrojë prova Sali Berishës. Ky organ quhet SPAK. Ato prova duhet t’i ishin vënë përpara tashmë Berishës, avokatëve të tij dhe të gjithë shqiptarëve. Po megjithëse shqiptarët presin, amerikanët presin, europianët presin, SPAK-u vazhdon të flejë mbi dosje. Koha e arsyeshme e pritjes tashmë ka mbaruar edhe për më optimistët. Ndoshta kambanat do të duhet të bien edhe për zyrtarët e lartë të organeve të reja të Reformës në Drejtësi.



Skip to toolbar