Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden e quajti variantin e ri të koronavirusit të njohur si Omicron një shkak për shqetësim, por “jo një shkak për panik”. Biden deklaroi kështu të hënën duke thënë se nuk po e konsideronte vendosjen e masave të gjëra bllokuese në SHBA.
Ai u kërkoi përsëri amerikanëve që të vaksinohen plotësisht, duke përfshirë vaksinat përforcuese si dhe i luti ata që të vendosin maskat në ambiente të brendshme dhe të jashtme.
Duke folur të hënën në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se është e pashmangshme që varianti i ri të arrijë në SHBA, por ai gjithashtu tha se vendi ka mjetet e nevojshme për të mbrojtur amerikanët – veçanërisht vaksinat e miratuara si dhe vaksinat përforcuese.
Kur të mbërrijë Omicron, dhe do të ndodhë, tha Biden, Amerika do të “përballet me këtë kërcënim të ri ashtu siç jemi përballur me ata që i kanë dalë më parë”, raporton AP.
Ai u bëri thirrje rreth 80 milionë amerikanëve të pavaksinuar të moshës 5 vjeç e lart që të marrin vaksinat e tyre si dhe ftoi amerikanët të marrin dozën e tretë përforcuese të vaksinës.
Presidentit Biden iu bashkua eksperti kryesor i vendit për sëmundjet infektive dhe këshilltari i tij kundër COVID-19, Anthony Fauci, i cili tha më herët të hënën se shkencëtarët shpresojnë të dinë brenda një jave apo dy se sa mbrojnë vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 ndaj variantit të ri, që po përshkruhet si më i rrezikshëm dhe më shpejt i transmetueshëm.
Varianti i ri paraqet testin më të fundit për përpjekjet e presidentit amerikan, Joe Biden për të përmirësuar situatën me pandeminë, për të zbutur ndikimet e saj në ekonomi dhe për të kthyer një ndjenjë normaliteti në SHBA gjatë sezonit të festave.
Biden javën e kaluar vendosi të kufizojë udhëtimet nga Afrika e Jugut dhe shtatë vende të tjera në Afrikën Jugore, në një përpjekje për t’u dhënë kohë shkencëtarëve për të mësuar më shumë rreth variantit të ri si dhe për tu dhënë më shumë amerikanëve që të vaksinohen përpara se ky variant i ri i të godasë SHBA-në.
Kompanitë farmaceutike tashmë kanë filluar testet për të modifikuar vaksinat e aktuale për me qëllim që t’i përgjigjen variantit të ri.
Varianti i ri Omicron është shfaqur në shtete të ndryshme të botës duke përfshirë edhe disa shtete në kontinentin evropian.
Kjo ka bërë që disa shtete të mendojnë për vendosjen e masave të reja kufizuese në një përpjekje për të ngadalësuar rritjen rapide të rasteve me këtë variant të koronavirusit. /rel