Shkroi historinë në Beograd, Veliaj i dorëzon Kullën e Sahatit boksierit Beqiri

AKTUALITET


Boksieri i Sport Klub Tiranës Alban Beqiri shkroi historinë në Beograd duke na siguruar medaljen e parë historike në Kampionatin Botëror të Boksit. Ai u prit nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj për të cilin tha se me triumfin e fundit ka bërë të gjithë shqiptarët krenar dhe ka frymëzuar dhe sportistët më të rinj. Në mënyrë simbolike, ai i dhuroi kampionit shqiptar Kullën e Sahatit të Tiranës.
“Jam shumë krenar për çunat e Tironës, Albanin dhe shokët që jo vetëm kanë sjellë medalje nga Ballkaniada në Kroaci, por mbi të gjitha kanë sjellë medalje të tretë Botërore për 71 kg nga Kampionati Botëror në Beograd. Jam shumë krenar për ty, për skuadrën, për gjithë klubin që në të gjithë sportet po shkëlqen dhe them sikur të ishte punuar çdo vit si këto dy tre vitet e fundit, kush e di ku do ishim por s’ka nevojë ta mbajmë kokën mbrapa. Tani duhet të shohim përpara. Fakti që kanë filluar të vijnë medaljet botërore në Tiranë nga klubi më mbush me kurajë se do këta djem dhe vajza do shohin tek këto medalje jo copën e metalit, por vlerësimin e mundit të dikujt që zgjodhi disiplinën, stërvitjen, përkushtimin”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se hapja e mbi 70 palestrave sportive do të ndihmojë në masivizimin e sportit. “Shpresoj që përtej medaljes, medalja e vërtetë do jetë ajo e frymëzimit dhe e mirënjohjes nga një brez i tërë që kur shikon sportistët tanë elitarë fillon vetë të bashkohet me klasat komunitare, të bashkohet me një palestër. Tani që kemi hapur mbi 70 palestra që janë vënë në dispozicion të sportit në komunitet, ndoshta jo të gjithë do vijnë si Albani me medalje botërore, por e sigurt që të gjithë do bëhen qytetarë më të mirë. Është një arritje për të gjithë ne dhe nëse do frymëzojë sadopak të rinjtë e këtij qyteti, atëherë e ka kryer misionin”, theksoi Veliaj.

Boksieri Alban Beqiri falënderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkia i ka dhënë sportit këto vitet e fundit. “Shpresoj që edhe në ditët në vazhdim dhe në kohët në vazhdim do jemi të aftë të sjellim medalje sa më të mëdha. Urojmë që edhe brezi që do vijë më mbrapa në këtë sport dhe në shumë sporte të tjera të arrijnë të kenë suksese të tilla dhe të kemi një mbështetje të fortë që të arrijmë të ngremë flamurin shqiptar në shumë kompeticione të tjera të mëdha”, u shpreh kampioni ynë i boksit.
Alban Beqiri është kampion i shumë turneve ndërkombëtar dhe dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Europiane.



Skip to toolbar