Policia e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 2 milionë euro, që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale. Operacioni është koduar Milano, ndërkohë që pronari i këtyre pasurive, Kristaq Mahmutaj, është ekstraduar në Mars të këtij viti drejt Italisë, pasi ishte shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale.
Në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “MILANO”, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të Kristaq Mahmutaj, 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Ky shtetas, më datë 15.03.2021, është ekstraduar drejt Italisë, pasi është arrestuar gjatë një operacioni nga Policia e Tiranës, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja në rrethana rënduese” dhe “Trafik droge”.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2.000.000 euro, konkretisht:
•Një ndërtesë katërkatëshe, një sipërfaqe trualli, dy sipërfaqe toke (ara), një subjekt me veprimtari në fushën e prodhimit të ujit të pijshëm dhe një subjekt bar-kafe.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.