Nga Rebekah Koffler “Fox News”
Si një ish-zyrtare e Agjencisë së Inteligjencës në fushën e Mbrojtjes (DIA) dhe specialiste mbi doktrinën dhe strategjinë ruse, që ka marrë pjesë në dhjetëra stërvitje luftarake që simuluan një konflikt SHBA-Rusi, jam shumë e shqetësuar për rrezikun e lartë që paraqet përfshirja e Uashingtoni në luftë për të mbrojtur Ukrainën.
Nëse mendoni se 2 trilion dollarë dhe 6.000 jetë amerikane të humbura, ishin një çmim i lartë i paguar për një rezultat pa asnjë fitore në angazhimin 20-vjeçar në Afganistan, akoma nuk keni parë asgjë. Kostot dhe humbjet e SHBA-së në një luftë me Rusinë bërthamore do të ishin katastrofike.
Një luftë e tillë nuk mund të fitohet,ndaj nuk ia vlen të paguhet duke sakrifikuar jetët e ushtarëve amerikanë. Gatishmëria e forcave ruse përgjatë kufirit ukrainas – duke përfshirë 114.000 ushtarë, forca speciale, zyrtarë të shërbimeve sekrete dhe armatimet e rënda, përfshirë tanket- të kujton pushtimin e Ukrainës Lindore nga Putin në vitin 2014.
Ky grumbullim së bashku me përballjet e fundit të rrezikshme midis anijeve luftarake amerikane dhe marinës ruse në Detin e Zi, si dhe me paralajmërimin që Putin i bëri SHBA-së më 13 nëntor, përbëjnë ato që në zhargonin e shërbimeve sekrete quhen“indikacione dhe paralajmërime” të një krize të afërt.
Të shqetësuar për probabilitetin e lartë të pushtimit të drejtpërdrejtë të Ukrainës nga ana e Rusisë, shërbimet sekrete amerikane i kanë paralajmëruar aleatët evropianë, se ekziston vetëm një dritare e ngushtë opsionesh për ta frenuar Vladimir Putin.
Në mënyrë të parashikueshme, “ekspertët”në Uashington japin këshilla që nuk janë të bazuara tek realiteti. Në këtë rast,është fakt që ndërsa Ukraina është pjesë e interesave jetike të Rusisë, ajo nuk është pjesë e interesave të Amerikës.
Disa ekspertë mbrojnë pranimin e përshpejtuar të Ukrainës në NATO, e cila sipas këndvështrimit të tyre prej “eksperti”, do të garantonte sigurinë e Ukrainës, duke e detyruar SHBA-në dhe NATO-n të hyjnë në një konflikt ruso-ukrainas në krah të Kievit.
Të tjerë bëjnë thirrje për grumbullime trupash në rajon, për të frenuar mjeshtrin e spiunazhit që nga koha e KGB-së, Putinin. E rrethuar dhe e ngacmuar, Ukraina duhet të jetë e lirë të ndjekë rrugën e saj të zhvillimit.
Por fatkeqësisht, vendndodhja e saj gjeostrategjike, e kufizuar nga të tre anët me një Rusi shumë më të madhe dhe më të fortë ushtarakisht, dikton edhe fatin e saj në botën e ashpër të realpolitikës. Sigurisht, të paktën në botën e Putinit.
Udhëheqësi rus ka deklaruar disa herë se pranimi i Ukrainës në NATO – një aleancë ushtarake të cilën Rusia e sheh si kërcënimin e saj kryesor – do të kalonte një “vijë të kuqe”. Për shekuj me radhë, Rusia e ka parë Ukrainën si zonën e saj të sigurisë tampon, kundër pushtimeve të huaja.
Jo se kjo është e justifikuar apo diçka e mirë. Por kështu është, dhe kështu ka qenë. Ivan Il’in, një mendimtar ortodoks rus, idetë e të cilit i ka përdorur Putin në zhvillimin e ideologjisë së tij, thotë në shkrimet e tij se një Ukrainë e pavarur do të ishte një “çmenduri” e paimagjinueshme.
Ashtu si Putin beson se është thelbësore që të sundohen së bashku të gjitha tokat e Rusisë Perandorake për të siguruar vetë mbrojtjen e saj. Ndërsa ruajtja e një perandorie mund të jetë diçka e huaj por dhe anakronike, për mendimtarët amerikanë ajo e dominon mendësinë e rusëve.
“Ekspertët” e Uashingtonit, të cilët janë tejet të dobët në të kuptuarit se çfarë i motivon kundërshtarët e huaj të Amerikës, nuk kanë asnjë ide për ndjenjën e brendshme shekullore të posesivitetit që ka Rusia ndaj Ukrainës.
Ri-integrimi i Ukrainës dhe i shteteve të tjera post-sovjetike në një bashkim të udhëhequr nga Rusia, është diçka që shihet nga Moska si një çështje e mbijetesës kombëtare. Është ky mentalitet që qëndron në themelin e veprimeve dhe politikave të Putinit, siç është aneksimi i Krimesë.
Vendosja e trupave amerikane në terren, në “oborrin e shtëpisë” së Rusisë, do të interpretohej nga Kremlini si një pararendëse e një veprimit të mundshëm kinetik të SHBA-së kundër Rusisë. Vetë prania e forcave të dislokuara të SHBA-së aq afër një konflikti, do të shtonte presionin ndaj Uashingtonit, që sapo u dëbua nga Afganistani, për të ndërhyrë në krah të Ukrainës.
Një veprim i tillë do ta nxiste Moskën që të aktivizonte reagimin e saj parandalues të “vetëmbrojtjes”, duke synuar atdheun e SHBA-së me sulme shkatërruese kibernetike dhe të luftës hapësinore. Me testin e fundit të sulmit raketor anti-satelitor të Rusisë, Putini ka treguar aftësinë e Rusisë për të gjymtuar satelitët amerikanë, tek të cilët ne mbështetemi jo vetëm për aftësitë tona luftarake, por edhe për shumë synime civile.
Putini, që ka frikë të bëhet një objektiv i doktrinës së Uashingtonit të “ndryshimit të regjimit”, dhe që ka goditur njerëz si Sadam Husein dhe Muamar Gadafi, është gati për një reagim të tepruar. Sapo të fillojnë të shtënat, lufta mund të degradojë në një luftë bërthamore, dhe të përfshijë sulme kibernetike dobësuese në rrjetin energjitik të Amerikës.
Askush nuk ka mundur që të fitojë një luftë me Rusinë në tokën ruse. Për këtë mjafton që të “pyesni” Napoleonin Bonapartin e Francës, Adolf Hitlerin e Gjermanisë apo edhe suedezët, ushtria e të cilëve u shkatërrua në vitin 1709 nga ushtarët e Pjetrit të Madh.
A është Ukraina ndër interesat më jetike të sigurisë për SHBA-në? A varet siguria, integriteti territorial dhe mbijetesa afatgjatë e Amerikës nga Ukraina e largët? Përgjigja për të dyja pyetjet është një “jo” e fuqishme