Manastirliu në Kukës: Vaksinimi thelbësor për festa më të sigurta

AKTUALITET


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka apeluar nga pika e vaksinimit në Kukës për vaksinimin me dozën e tretë për të rritur mbrojtjen për qytetarët, në kushtet e shqetësimit të rritur nga variantet e reja.

“Jemi sot në Kukës por edhe në të gjithë Shqipërinë ne nuk po e ndalim punën për të rritur mbulesën vaksinale. Mjekët, infermierët, vaksinatorët janë duke bërë një punë kapilare për të vajtur tek çdo qytetar i cili e ka të pamundur të aksesojë qendrën shëndetësore për t’u vaksinuar. Kemi qenë dhe vijojmë të jemi në universitete dhe po ashtu edhe në gjimnaze për vaksinimin +16 vjeç. Është e rëndësishme që të mos e ndalim këtë instensitet edhe në kushtet e variantit të ri Omicron por edhe me rritjen e infektimeve në të gjitha vendet e Europës”, tha Manastirliu.

 Nga Kukësi po ndoqi nga afër vaksinimin anticovid, Manastirliu theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe dozës përforcuese për të rritur mbrojtjen e qytetarëve në këtë periudhë të vitit.

“Ajo çfarë mbetet thelbësore është rritja e mbulesës vaksinale. Sigurisht që ajo çfarë duhet në këto ditë, duke qenë se jemi edhe në prag të festave të fundivitit është sa më shumë garanci, e cila fitohet vetëm nëpërmjet vaksinimit. Sepse nëse duam që të gëzojmë festat e fundvitit, të mblidhemi së bashku, sigurisht duke pasur gjithmonë parasysh masat të cilat ne aplikojmë për ambientet e brendshme dhe për ambientet e jashtme, duke i respektuar me rigorozitet ato, duhet që ne të gjithë të vijojmë këtë fushatë vaksinimi, këtë program vaksinimi, duke vaksinuar të gjithë ata që ende për një arsye apo për një tjetër nuk janë vaksinuar”, tha Manastirliu duke ftuar qytetarët që të dëgjojnë zërin e shkencës dhe të autoriteteve që bëjne thirrje për një vaksinim të shpejtë.

I pranishëm ishte dhe Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, i cili u bëri thirrje qytetarëve të Kukësit në të gjitha njësitë administrative që të vaksinohen.

“Si kryetar bashkie u bëj thirrje gjithë qytetarëve që të vaksinohemi sa nuk është vonë, sepse vaksina siç ka treguar është mbrojtja më e mirë kundër virusit. Unë besoj që jemi në rrugën e duhur, por natyrisht fushata duhet të vazhdojë bashkë me drejtorinë e shëndetit publik, bashkë me administratorët e njesive, bashkë me kryetarët e fshatrave që ne të bëjmë thirrje që të vaksinohen qytetarët e bashkisë Kukës”, tha Gjici.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer 2,161,198 vaksinime. Më shumë se 980 mijë qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, ndërsa mbi 85 mijë janë vaksinuar edhe me dozën e tretë.



Skip to toolbar