Deputetja demokrate, Flutura Açka, përkujton Lëvizjen Studentore të 31 viteve më parë, që u ngrit në revoltën më të madhe për të rrëzuar regjimin komunist. E pranishme në aktivitetin për përkujtimin e “8 Dhjetorit”, deputetja Açka vuri theksin te liria, duke thënë se ajo nuk vjen aq lehtë dhe pa mundë.
Mes të tjerash dhe teksa shprehu mirënjohje për mijëra studentët që u ngritën kundër regjimit, deputetja theksoi se nuk do të ishte shkrimtare pa lirinë, pa ata mijëra njerëz, që mbushën sheshet në vitin 1990.
“Kemi një ndjenjë respekti të thellë ndaj atyre mijëra njerëzve, që mbushën sheshet në mënyrë që liria të vinte, siç e meritonte. Një përulje të thellë dhe për studentët, që i dhanë ngjyrat më të bukura lirisë që erdhi. Kanë kaluar 31 vite, të mjaftë për të reflektuar.
Secili prej nesh ka refleksionin e tij, por distanca të jem mundësinë që gjykimin ta kesh më të pastër. Të kujtojmë të gjithë bashkë atë ditë dhe të mos harrojmë se liria nuk vjen aq lehtë, pa mundë. E them me bindje të thellë që unë nuk do të isha shkrimtare pa lirinë, kështu që nuk do të isha shkrimtare pa ata mijëra njerëz, që mbushën sheshet”, u shpreh deputetja Flutura Açka.