Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, i ftuar në emisionin ‘RealStory’ në ‘News24’, deklaroi vendimet non-grata nga SHBA nuk mund të politizohen.
Gjatë bisedës në studio, Balla theksoi se Partia Socialiste ka vendosur një tjetër standard dhe se është distancuar sa herë ka pasur akuza të ngritura nga prokuroria për individë të caktuar.
I ndalur tek sanksionet, ai më tej u shpreh se SHBA-të do ta përdorin çështjen e sanksioneve financiare nga Departamenti i Thesarit si element që identifikon personat që kanë krijuar të ardhura përmes korrupsionit.
“Është e vërtetë që SHBA nuk duan që shpalljet e tyre non-grata të politizohen. PS ka vendosur një standard, sa herë kur bëhet fjalë për një akuzë që ngrihet nga Prokuroria kujtoj rastin e zotit Tahiri. PS ka bërë një ndarje me thikë dhe kjo është betejë që duhet ta bëjë individi. SHBA-të do ta përdorin çështjen e sanksioneve financiare nga departamenti i thesarit si element që identifikon personat që kanë krijuar të ardhura përmes korrupsionit. Demokracia kudo në botë është në rrezik. Instrumentet që SHBA po përdorin janë instrumente që nuk duhet të politizohen dhe të njëjtën gjë Escobar e ka thënë edhe në Shkup. Edhe në rastin e shpalljes non-grata të Berishës , edhe pse nuk kemi pasur betejë elektorale apo politike, por mendoj që përpjekja e Berishës gjithë këto kohë për ta identifikuar si një skemë të sponsorizuar ndaj tij, ka marrë përgjigje të qartë se është një dosja që ka filluar qartazi”, tha Balla.