Meksikë, të paktën 54 të vdekur pas përmbysjes së një kamioni

BOTA


Të paktën 54 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar, pasi kamioni me të cilin po udhëtonin, u aksidentuar në jug të Meksikës, njoftuan autoritetet.

Mbi 150 persona, që thuhet se janë migrantë nga Amerika Qendrore, ishin në rimorkion e kamionit, kur ai u rrokullis në shtetin Chiapas.

Ky është një prej aksidenteve më të rënda të këtij lloji në Meksikë. Dyzet e nëntë viktima janë konfirmuar të vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkaq pesë të tjerë kanë vdekur në spital, tha guvernatori i Chiapas, Rutilio Escandón.

Afër 105 persona – 83 burra dhe 22 gra – u lënduan gjatë këtij aksidenti, tha ai.

Kombësia e viktimave nuk është konfirmuar ende, por zyrtarët lokalë thanë se shumica e personave që po udhëtonin me këtë kamionë transportues, ishin nga Hondurasi dhe Guatemala.

Presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador e ka përshkruar këtë aksident si “shumë të dhimshëm” dhe ka shtuar se “më vjen shumë keq për tragjendinë” e ndodhur.

Kamioni raportohet se ishte duke ecur me shpejtësi të madhe kur shoferi bëri një kthesë të mprehtë, duke goditur një urë për këmbësor në Tuxla Guiterrez në shtetin Chiapas.

Shteti meksikan Chiapas, që gjendet në afërsi të Guatemalës, është pika e transitit për migrantët.

Qindra mijëra migrantë, që ikin për shkak të varfërisë dhe dhunës në Amerikën Qendrore, çdo vit tentojnë që të kalojnë nëpër Meksikë, me qëllim që të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.

Shumica paguajnë kontrabandistë, të cilët më as i transportojnë ata me kamionë të mbushur plotë me migrantë.

Kufiri SHBA-Meksikë është një prej kufijve më të rrezikshëm, ka thënë Organizata Ndërkombëtare për Migrim. Vetëm gjatë këtij viti, të paktën 650 persona kanë vdekur teksa kanë tentuar që ta kalojnë kufirin, që është shifra më e lartë e viktimave e regjistruar ndonjëherë.



Skip to toolbar