Në një intervistë ekskluzive për gazetarin Sokol Balla në News24, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe EuroaziatikeGabriel Escobar, flet për vizitën e tij në Shqipëri, mesazhet që kjo vizitë përcjell si edhe marrëdheniet mes SHBA e vendit tonë.
Escobar thotë se ndryshe nga para vitet ‘90, kur Ballkani Perëndimor e më konkretisht Shqipëria ishin
me të vërtetë një nga problemet, sot është një nga mundësitë. Sa i takon vizitës në Shqipëri, Escobar thotë se ka ardhur këtu për të përcjellë tre mesazhe.
“Njëri është se ju jeni një anëtar i NATO-s, dhe një anëtar i mirë i NATO-s, një anëtar kontribues i NATO-s. Së dyti, ne po nxisim europianët që t’ju shohin ashtu siç ju shohim ne, si një partner i mirë dhe ju do të jeni një anëtar i mirë i Europës. Dhe meqë ra fjala, ju jeni që tani pjesë e Europës. Në kulturë, histori dhe ekonomi, ju jeni pjesë e Europës, prandaj ne besojmë se ju duhet të keni një vend në tryezë. Prandaj, për njerëzit që janë të zhgënjyer nga shpejtësia e BE-së, ne kemi besim se ata do të lëvizin shpejt. Dhe meqë ra fjala, unë nuk do të lejoja që mekanizmi burokratik i asaj që përbën Bashkimin Europian të errësojnë faktin që BE-ja ka krijuar zhvillim të jashtëzakonshëm në këtë pjesë të botës dhe në Europë në tërësi. Çdo vend që ka hyrë në BE është më demokratik, më i begatë dhe më i qëndrueshëm se kurrë më parë. Kjo është ajo që ju pret kur të anëtarësoheni në BE.” shprehet Escobar.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Përshëndetje! Ju flas nga Ambasada e SHBA, ku jam në shoqërinë e Z. Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike në fund të vizitës së tij të parë në këtë cilësi në Tiranë. Z. Escobar, faleminderit që jeni me ne sonte!
ZV/NS Escobar: Faleminderit shumë!
Sokol Balla: Është kënaqësi. Z. Eskobar, nuk kam parë karrierë kaq të pasur në marrëdhëniet e jashtme prej një kohe të gjatë kur pashë CV tuaj por vura re se keni kaluar shumë kohë në Ballkan që nga viti 1998. Cfarë ka ndryshuar gjeo-politikisht prej asaj kohe për interesat e SHBA për Ballkanin Perëndimor dhe më konkretisht për Shqipërinë?
ZV/NS Escobar: Çfarë ka ndryshuar? Në vitet 1990, kjo pjesë e botës ishte me të vërtetë një nga problemet, ndërsa tani është me të vërtetë një nga mundësitë. Nëse shihni vendet e rajonit, tre prej tyre janë anëtarë në NATO. Nëse shihni vendet e ish-Jugosllavisë, dy prej tyre tani janë anëtarë të Bashkimit Europian. Pra, me të vërtetë ka ndryshuar shumë. Dhe për njerëzit që priren ta shohin Ballkanin përmes prizmit të viteve 1990, unë gjithmonë i sfidoj ata: Shekulli i 21-të do të jetë një periudhë e shkëlqyer për Ballkanin.
Sokol Balla: Ok, por siç thatë ju, që atëherë kemi pasur tre vende anëtare të NATO-s, por vetëm dy anëtarë të BE-së. Pra, Perëndimi duket se ka si një lokomotivë me dy shpejtësi, me rrota të ndryshme. Nga njëra anë kemi interesin e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara që po forcohet, por më pas kemi një prani të dobësuar të BE-së në rajon, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Në vend të saj, Rusia, Kina, madje edhe Turqia deri në një masë të caktuar, kanë pasur më shumë sukses në vendosjen e ndikimit të tyre. Pra, ne shohim gjëra që ndodhin në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht tani edhe në Bosnje-Hercegovinë. Ne shohim gjëra që nuk na pëlqejnë, sepse është si një ankth që rritet tek njerëzit tanë këtu dhe në Kosovë, që gjëra të tilla mund të na ndodhin edhe ne.
ZV/NS Escobar: Unë nuk mendoj kështu dhe më lejoni t’ju tregoj. Në të vërtetë kam ardhur këtu me tre mesazhe kryesore. Njëri është se ju jeni një anëtar i NATO-s, dhe një anëtar i mirë i NATO-s, një anëtar kontribues i NATO-s. Së dyti, ne po nxisim europianët që t’ju shohin ashtu siç ju shohim ne, si një partner i mirë dhe ju do të jeni një anëtar i mirë i Europës. Dhe meqë ra fjala, ju jeni që tani pjesë e Europës. Në kulturë, histori dhe ekonomi, ju jeni pjesë e Europës, prandaj ne besojmë se ju duhet të keni një vend në tryezë. Prandaj, për njerëzit që janë të zhgënjyer nga shpejtësia e BE-së, ne kemi besim se ata do të lëvizin shpejt. Dhe meqë ra fjala, unë nuk do të lejoja që mekanizmi burokratik i asaj që përbën Bashkimin Europian të errësojnë faktin që BE-ja ka krijuar zhvillim të jashtëzakonshëm në këtë pjesë të botës dhe në Europë në tërësi. Çdo vend që ka hyrë në BE është më demokratik, më i begatë dhe më i qëndrueshëm se kurrë më parë. Kjo është ajo që ju pret kur të anëtarësoheni në BE.