Vullkani në La Palma. Shpërthimi i fundit shkakton 24 lëkundje toke

BOTA


Vullkani, Cumbre Vieja, në La Palma në Spanjë, i cili po nxjerr llavë prej tre muajsh, paraqet shpërthimin më të gjatë në këtë ishull spanjoll, që nga nisja e regjistrimit të shpërthimeve të vullkaneve në vitin 1500, njoftuan ekspertët më 12 dhjetor.

Të dielën, pas disa ditësh të aktivitetit të ulët, vullkani shpërtheu sërish duke nxjerrë tym të zi nga krateri, derisa u shënuan 24 dridhje të tokës për shkak të fuqisë së shpërthimit, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Vullkani në La Palma, për herë të parë shpërtheu më 19 shtator. Që nga ajo kohë rreth 3 mijë objekte janë shkatërruar e disa mijëra njerëz u desh të evakuoheshin.

Megjithatë deri tash askush nuk është lënduar. Shkencëtarët thonë se shpërthimet e vullkaneve janë të paparashikueshme ndërkaq sipas ekspertëve spanjollë shpërthimi i vullkanit në La Palma do të mund të zgjaste edhe tre muaj të tjerë.

Banorët e ishullit megjithatë duan që gjithçka të përfundojë dhe të kthehen në shtëpi. “Jemi lodhur. Si një banor lokal mora pak pushim dhe shkova në Madrid që të marr pak ajër të pastër”, tha Juan Ernesto Perez.



Skip to toolbar