Ish-diktatori irakian, Saddam Hussein, bërtiste dhe iu lut ushtarëve amerikanë që të mos e vrisnin, pasi ai u kap pas përfundimit dramatik të një gjuetie tetë mujore.
Hussein shërbeu si presidenti i pestë i Irakut për 24 vjet, nga viti 1979 deri sa u rrëzua nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA në 2003.
Kur kryeqyteti i Irakut, Bagdadi, ra në duart e forcave amerikane në prill 2003, diktatori nuk gjendej askund, duke shkaktuar një nga ndjekjet më intensive në histori përpara se të kapej përfundimisht disa muaj më vonë.
Huseini ishte njeriu më i kërkuar në botë për atë periudhë tetë mujore përpara se më në fund, në dhjetor 2003, amerikanët morën një informacion se tirani ishte diku afër vendlindjes së tij, Tikrit, 85 milje larg Bagdadit.
Informacioni i çoi në një fermë dhe aty më 13 dhjetor, operacioni Agimi i Kuq mori fund pasi një ushtar ngriti një batanije për të zbuluar një vrimë të vogël në tokë.
Bunkeri i thellë gati 20 metra ishte mjaftueshëm i madh që një person të shtrihej dhe ishte instaluar një tub që lejonte ajrin brenda.
Aty fshihej diktatori, me një ushtar amerikan që shpalli lajmërimin: “Zonja dhe zotërinj, ne e gjetëm atë”.
Ndërsa diktatori u zvarrit nga vendi i tij i fshehur që në pamje dukej i panjohur, ai u bërtiti ushtarëve që e gjetën: “Mos qëlloni, mos qëlloni, unë jam Sadam Huseini. Unë jam presidenti i Irakut dhe jam i gatshëm të negocioj”.