Parandalohet krimi në Fier, Policia jep detaje

AKTUALITET


Policia e Fierit ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale duke i vënë prangat një 55-vjeçari. Konflikti mes këtij të fundit dhe një tjetër shtetasi mund të precipitonte deri në përdorimin e armës së gjahut.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier pas marrjes së informacionit se në Roskovec po ndodhte një konflikt mes dy shtetasve, kanë organizuar punën dhe kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Në qytetin e Roskovecit, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, shtetasi B. H., ka goditur me mjet të fortë shtetasin V. H., i cili ka marrë armën e gjahut dhe është nisur për në banesën e shtetasit B. H., por ndërhyrja e patrullës së Policisë ka bërë të mundur parandalimin e një ngjarje të mundshme kriminale duke e kapur në kohë shtetasin V. H bashkë me armën e gjahut (të cilën e kishte me leje)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” shtetasin B. H., 55 vjeç, banues në Roskovec dhe proceduan penalisht për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosje” shtetasin V. H., 60 vjeç, banues në Roskovec (i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar