Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian më 15 dhjetor, vonë në mbrëmje votuan raportin për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Me këtë dokument, po ashtu, kërkohet që shtetet e rajonit t’i hapin arkivat e ish-Jugosllavisë.
Në dokumentin e miratuar, eurodeputetët u bënë thirrje qeverive të shteteve të rajonit që t’i shtojnë përpjekjet në drejtim të reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Për këtë raport votuan 531 eurodeputetë, ndërsa 48 ishin kundër dhe 117 abstenuan.
Në raportin e miratuar thuhet se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë “shtete të prejardhjes, destinacionit dhe transitit me qenie njerëzore dhe shërbejnë si korridore transiti për migrantët e refugjatët, por po aq janë edhe zona për shpëlarje të parave dhe tregti me armë zjarri”.
Në dokument, ndër tjerash, thuhet që “deputetët e Parlamentit Evropian, të vetëdijshëm për akuza për lidhjet ndërmjet figurave të larta politike dhe grupeve të krimit të organizuar, nëpërmes këtij raporti, theksuan nevojën që të çrrënjosen lidhjet politike dhe administrative me krimin e organizuar përmes masave të qarta të mbrojtjes nga korrupsioni dhe me ndjekje efikase penale të rasteve të korrupsionit të profilit të lartë”.
“Lidhjet ndërmjet krimit të organizuar, politikës e biznesit ekzistonin edhe para shpërbërjes së Jugosllavisë dhe vazhduan deri në fund të konflikteve në vitet ’90, derisa deputetët e Parlamentit Evropian dënuan mungesën e qartë të vullnetit të autoriteteve përgjegjëse në rajon që të hapin arkivat e ish-Jugosllavisë dhe dosjet t’u kthehen qeverive nëse ato duan”, shkruhet në dokument.
Po ashtu, theksohet nevoja që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë dhe të këmbejnë informatat e inteligjencës me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë.
Autori i dokumenti, deputeti evropian, Lukas Mandl, pas miratimit të këtij raporti deklaroi se krimi i organizuar dëmton besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të tyre publike.
“Andaj, kjo paraqet pengesë të madhe për shoqëritë në Ballkanin Perëndimor që të zhvillojnë shtetet dhe ekonomitë e tyre. Bashkimi Evropian nuk mund të përdorë krimin e organizuar si arsyetim për shtyrjen e procesit të zgjerimit, por duhet të qëndrojë krahas popujve të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, porositi Mandl.
Deputetët e Parlamentit Evropian me këtë raport të miratuar u pajtuan që lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë procese të cilat fuqizohen mes vete, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të përshpejtojë procesin e integrimit.
Në këtë kontekst, meqë izolimi nxit aktivitetet kriminale, deputetët e Parlamentit Evropian po ashtu i bënë thirrje Këshillit që pa shtyrje të mëtutjeshme të miratojë liberalizmin e vizave për Kosovën.
Faktorët kryesorë që shoqëritë e Ballkanit Perëndimor i bëjnë të ndjeshme, sipas raportit, janë mungesa e mundësive për punësim, korrupsioni, dezinformatat, elementet e kapjes së shtetit, pabarazia dhe përzierja e regjimeve jodemokratike siç janë Rusia dhe Kina.
Në përputhje me këtë, sipas eurodeputetëve, Bashkimi Evropian do të duhej që t’i përkrahte këto përpjekje nëpërmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik./rel