Bashkia e Tiranës këtë fundvit ka vendosur tu gjendet pranë fëmijëve që marrin shërbime në repartin onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Përmes një eventi të organizuar nga të rinj aktivistë që i janë bashkuar kësaj kauze, Santa’s Drift, ku janë planifikuar një garë me makina në 18 Dhjetor dhe një koncert festiv në 19 Dhjetor me këngëtarë të suksesshëm në Sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet synohet sensibizimi në mbledhjen e të ardhurave që do tu vijnë në ndihmë familjeve të fëmijëve të cilët nuk mund të festojnë së bashku festat e fundvitit.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që jemi këtu në Bashkinë e Tiranës me një skuadër super gocash dhe çunash për të organizuar atë që quhet Santa’s Drift, kësaj here për një kauzë. Ne do të përdorim gjithë sheshin “Nënë Tereza”. Greta ka qenë një ish-paciente me tumor, pra ka dalë me një betejë të jashtëzakonshme, por ka edhe shumë të rinj dhe fëmijë që janë ende në këtë betejë, kështu që bashkë me Erën, një grup super artistësh, do të kemi pak sport, pak muzikë, por një mundësi fantastike për të ngritur disa fonde,” u shpreh Veliaj i cili mirëpriti sot në zyrën e tij disa nga organizatorët e Santa’s Drift, mes të cilëve edhe këngëtaren mjaft të dashur për publikun, Era Rusi.
“Ne si Bashki e Tiranës do bëjmë tonën dhe do t’i japim secilit një llogari bankare ku mund të kontribuojë, por ne do të donim që ata fëmijë që janë tek Onkologjiku dhe që kanë shpenzime, – nuk janë vetëm shpenzimet e kurimit, por edhe shpenzimet e qëndrimit në spital, shpenzimet që bëjnë prindërit, shtëpitë që duhet të marrin me qira, konsulta që duhet të bëjnë ndoshta edhe tek mjekët e tjerë jashtë për të marrë një opinion të dytë, apo të tretë, pra kush ka vuajtur e di se si shkon ajo faturë, pavarësisht se shërbimet bazë janë falas, pasi gjithmonë për merak ti pyet ku ka më mirë dhe sigurisht që fatura rritet. Ne duam që në këtë fundvit, jo vetëm që të kontribuojmë tek kjo faturë dhe nëpërmjet sportit, por edhe nëpërmjet artit të kemi një mundësi që disa fonde t’i ndajmë për këto familje,” shtoi kreu i Bashkisë.
“Faleminderit për kontributin nga Bashkia. Jam e bindur që do na bashkohen shumë njerëz për të gjithë këtë kauzë të madhe që kanë fëmijët që kurohen dhe kanë një problem kaq të madh shëndetësor. E kam provuar vetë dhe e di shumë mirë se ç’do të thotë të jesh aty për festa, të detyrohesh të kalosh Krishtlindjet dhe Vitin e Ri vetëm, brenda katër mureve, me ilaçe, me dhimbje, me temperaturë. Uroj që gjithë njerëzit të na bashkohen dhe të na ndihmojnë me aq sa të kenë mundësi sikur dhe me prezencën e tyre,” u shpreh Greta Dedaj, organizatore e Santa’s Drift.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij aktiviteti, por akoma më e lumtur që shumë artistë na janë bashkuar në këtë nismë dhe jam e sigurtë që do bashkohen dhe njerëz të tjerë që do ndihmojnë të mbledhim sa më shumë fonde, sepse askush nuk duhet të jetë vetëm në këtë vit. Asnjë fëmijë nuk duhet të jetë vetëm dhe duhet t’i ndihmojmë të gjithë që të ndjejnë ngrohtësi dhe të ndjejnë atmosferën e festave. Theksojmë që është pa biletë. Njerëzit të vijnë me vullnet të plotë, me dëshirë të plotë për të sjellë çfarë të duan dhe sa të duan,” u shpreh këngëtarja e njohur Era Rusi.