Kuvendi mban sot seancën e fundit plenare për 2021

Më të fundit


Kuvendi do të zhvillojë ditën e sotme seancën e fundit plenare për këtë sesion parlamentar, për të vijuar pastaj me pushimet e fundvitit dhe për të rinisur në vitin e ri 2022.

Në këtë seancë, pritet që maxhoranca socialiste të miratojë ligjet e kthyera nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, që kanë lidhje me buxhetin. Konkretisht, deputetët e PS-së do të votojnë pro ligjin e buxhetit të vitit 2022, ligjin e TVSH-së dhe ligjin për taksat kombëtare, të kthyera nga Presidenti Meta pa ndryshimet e kërkuara prej tij.

Po ashtu, sot pritet të miratohet edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2021 dhe ligji për zgjatjen e afatit për përfitimin e statusit “Investim strategjik” deri në 31 dhjetor 2023. Miratimi i tyre në Kuvend mund të konsiderohet thjesht për procedurë para futjes në fuqi, pasi maxhoranca i ka rrëzuar të katër dekretet e Presidentit në komisionet parlamentare.

PS do të miratojë me shumicë të thjeshtë edhe ligjin për bashkëqeverisjen, i kthyer nga Presidenti me argumentin se ai cenon parimet kushtetuese. Maxhoranca afroi me dy ditë seancën e fundit për 2021-shin, me qëllim që të përfitojë kohë që pas miratimit në Kuvend të buxhetit, institucionet të kenë kohë për alokimin e fondeve përpara marrjes së pushimeve të festave të fundvitit.



Skip to toolbar