Me akuza të ashpra ka vijuar përplasja mes kreut të PD Lulzim Basha dhe ministres Elisa Spiropali në Kuvend.
“Po ju drejtohem të gjithëve, kush është përgjegjës që sipas FMN keni numrin më të lartë të vdekjeve për shkak të COVID në Evropë. Kush është përgjegjës që në kulmin e pandemisë kur sipërmarrjet u mbyllën kur mijëra njerëz humbën vendin e punës për kafshatën e gojës, sepse paratë vazhduan t’iu paguhen inceneratorëve, kujt i shisni dëngla, korrupsioni juaj është përgjegjës i vdekjeve nga COVID, ju jeni aleati numër 1 i COVID, ju jeni si COVID, ju jeni më vdekjeprurës se COVID“, tha Basha.
Spiropali i tha Bashës të kontrollojë gjuhën, ndërsa i kërkoi që të votojë për zgjatjen e afateve të vetingut. Për vettingun e politikanëve, ministrja iu përgjigj me “ndërrimin e bravave të dyerve” që është artikuluar këto ditë shpesh nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.
“Zoti Basha kontrolloni gjuhën temperamentin nervin sepse nuk jemi në foltore këtu. Kontrolloni gjuhën që e keni lëshuar fare që kur ju kanë lëshuar nervat. Hijet politike, kufomat politike apo non gratat s’mund të marrosin një popull të tërë e ne s’mund të ndalemi për punët që kemi për të kryer. Meqë e keni merak të posaçëm Vettingun premtoni që do votoni për shtyrjen e afateve për vetingun. Kur vjen puna te aksioni i vërtetë s’jua merrni mendjen ndërkombëtarëve e as i dëgjoni. Nuk është Vettingu në politikë si bravat e dyerve të partive që i ndërroni sa herë humbni legjitimitetin“, i tha ministrja.
Në përgjigje kreu i PD hodhi akuza kundrejt Spiropalit duke i thënë se vettingun duhet ta fillojnë nga vetja.
“Tonin tim s’e përcakton dot as i pari i bandës tuaj e as ju tjerët, doni vettingun, filloni nga vetja, shqiptarët s’janë budallenj, të vjedhësh 5 milion euro në dogana dhe të vini të na krekoseni këtu me veshje firmato… (Spiropali flet nga vendi) mos bërtit se do vijë koha të bërtasësh para gjyqtarëve, atje shko e bërtit. Toni im ka të bëjë me hipokrizinë tuaj, shkaktarë të vdekjes jeni ju që i mbyllët shqiptarët 2 muaj në karantinë dhe kur hapje derën e frigoriferit shihje fytyrën e padronit tënd. Jeni njësoj si COVID madje më vdekjeprurës, një qeveri kaq shpirtzezë që vazhdojnë vjedhjen edhe në pandemi e tërmet këtë se ka parë askush në Evropë e Ballkan“, tha kreu i PD