Belgjika mbyll kinematë, Spanja kthen maskat, Helsinki forcon masat

CORONAVIRUS


Evropa po sheh sërish një rritje të rasteve të COVID që nga shfaqja e variantit të ri Omicron, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut. Prandaj disa vende kanë filluar rikthimin e kufizimeve antiCOVID duke marrë masa që nata e vitit të ri të jetë e qetë.

Disa vende kanë ndërmarrë hapa kundrejt të pavaksinuarve, ndërkohë që programe po zhvillohen gjithashtu në disa vende për të vaksinuar fëmijët e vegjël.

Belgjika

Belgjika do të mbyllë kinematë, teatrot dhe aktivitetet e tjera në ambiente të mbyllura. Muzetë, bibliotekat dhe qendrat e fitnesit do të mund të qëndrojnë të hapura. Qeveria belge po u kërkon gjithashtu njerëzve që të testohen përpara festave. Ndërkohë, mijëra qytetarë protestuan në Bruksel të dielën (19 dhjetor) kundër masave të qeverisë duke përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor që do të duhet të vaksinohen nga prilli ose rrezikojnë të humbasin punën e tyre. Infeksionet kanë qenë në rënie kohët e fundit, por varianti i ri i COVID tashmë përfaqëson 27% të rasteve të reja në vend, thanë autoritetet.

Spanja

Spanja do ta bëjë të detyrueshme edhe njëherë vënien e maskave në ambiente të jashtme. Vendi raportoi infeksione rekord me COVID-19 ndërsa varianti Omicron përhapet. Kryeministri Pedro Sanchez ofroi gjithashtu vendosjen e forcave të armatosura për të ndihmuar rajonet të rrisin vaksinimet. Sánchez tha se ai synon 80% të grupmoshës 60-69 që të ketë marrë dozzë përforcuese deri në fund të javës së ardhshme, raporton abcnews.al.

Autoritetet në Katalonjë, një nga rajonet më të populluara të vendit, njoftuan të hënën se do të vendosin kufizime që përfshijnë një shtetrrethim në orën 1 të mëngjesit, mbylljen e jetës së natës. Disa rajone kanë vendosur gjithashtu masa më të rrepta për të pavaksinuarit përpara sezonit të Krishtlindjeve, duke zgjeruar përdorimin e certifikatës së COVID-19 për të hyrë në vende publike si bare dhe restorante. Më shumë se 80% e popullsisë spanjolle tashmë është imunizuar, por frika e variantit Omicron ka shkaktuar një nxitje vaksinimi

Gjermania

Gjermania do të kufizojë tubimet private në 10 persona dhe do të mbyllë klubet e natës përpara vitit të ri pasi vendi përballet me një “valë të pestë masive” të COVID-19 për shkak të omicron.

Ngjarjet e mëdha si ndeshjet e futbollit do të zhvillohen pa audiencë si pjesë e kufizimeve të reja që do të hyjnë në fuqi më 28 dhjetor. Kufizimet tashmë të vendosura synojnë kryesisht të pavaksinuarit, me prova të vaksinimit ose rikuperimit që kërkohet për të hyrë në dyqanet jo thelbësore, ndër të tjera. Që nga e diela, turistët në Mbretërinë e Bashkuar janë të ndaluar nga Gjermania. Qendra kombëtare e kontrollit të sëmundjeve të vendit, Instituti Robert Koch, shtoi Mbretërinë e Bashkuar në listën e saj të “zonave të varianteve të virusit”. Kjo do të thotë se kushdo që udhëton nga Britania e Madhe në Gjermani duhet të paraqesë një test negativ PCR jo më të vjetër se 48 orë dhe të hyjë në një karantinë të detyrueshme për 14 ditë, pavarësisht nga statusi i tyre i vaksinimit.

Finlanda

Qeveria në Helsinki forcoi masat kufizuese kundër koronavirusit duke përjashtuar mundësinë për të festuar Vitin e Ri në lokale. Që nga Krishtlindjet, lokalet do të mbyllen në orën 22:00, dhe nga 28 dhjetori në orën 18:00 në rastin e lokaleve dhe në 20:00 në rastin e restoranteve. Alkooli do të shërbehet vetëm deri në orën 17:00. Baret dhe klubet e natës mund të mbushin vetëm gjysmën e kapacitetit, restorantet të paktën deri në 75 për qind.Këto dhe masa të tjera u njoftuan të martën vonë në mbrëmje pas negociatave të gjata nga kryeministrja Sanna Marin. Kjo masë vlen deri në mes të janarit. Përmes masave kufizuese, finlandezët duan të ngadalësojnë përhapjen e koronavirusit dhe të fitojnë kohë për të qenë në gjendje për të administruar sa më shumë vaksina përforcuese kundër Covid-19.



Skip to toolbar