Nga Dov S.Zakheim “National Interest”
Duket se presidenti rus Vladimir Putin ka përvetësuar gjithnjë e më shumë qasjen “bie kokë fitoj unë, bie pil humbni ju” ndaj NATO-s në përgjithësi, dhe Shteteve të Bashkuara në veçanti. Ai po vazhdon të autorizojë grumbullimin e trupave ruse pranë Ukrainës.
Vlerësimet mbi nivelet e tyre aktuale variojnë në 60.000-75.000, teksa të paktën dyfishi i kësaj shifre pritet të mbërrijë nga pjesë të tjera të Rusisë gjatë javëve të ardhshme. Ai kërcënon me ndërmarrjen e veprimeve ushtarake, në rast se Perëndimi vazhdon “një linjë qartësisht agresive” ndaj Moskës, sidomos nëse vijon zgjerimin e aleancës përgjatë kufijve të Rusisë.
Njëherazi, Ministria e Jashtme e Rusisë ka publikuar ditët e fundit dy draft-marrëveshje, të cilat synojnë të ndryshojnë ekuilibrin aktual strategjik në Evropë, të kufizojnë praninë amerikane, dhe të minojnë kohezionin e NATO-s.
Putin duket i sigurt se nëse e pushton Ukrainën, Perëndimi nuk do të bëjë rezistencë. Nëse ai nuk do të pushtojë Ukrainës për shkak se Perëndimi do të dorëzohet përballë kërkesave të tij, ai do të ketë arritur shumë më tepër sesa thjesht të rivendosë nënshtrimin e Kievit ndaj Moskës.
Pas bisedës virtuale të Putinit me presidentin amerikan Joe Biden, për të krijuar një mekanizëm për diskutimin e ankesave që ka Rusia ndaj Perëndimit, Kremlini ka hartuar një projekt-traktat,që ndër të tjera do ta detyronte Amerikën “të angazhohej në parandalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s drejt lindjes, dhe të pengojë anëtarësimin në aleancë të shteteve të ish-Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike”.
Pra propozimi i Moskës kërkon jo vetëm që Uashingtoni të vendosë veton kundër anëtarësimit të Ukrainës (dhe Gjeorgjisë) në NATO, por gjuha e projektit mund të interpretohet si një kërkesë që anëtarët aktualë të NATO-s, që kanë qenë dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, përkatësisht 3 shtetet baltike, të përjashtohen nga aleanca.
Për më tepër, Moska kërkon që Shtetet e Bashkuara të mos vendosin trupat ushtarake “në zonat ku një dislokim i tillë mund të perceptohet nga pala tjetër (për shembull Rusia) si një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare, me përjashtim kur një dislokimi i tillë ndodh brenda vendit”.
Kjo dispozitë e projekt-traktatit do t’i jepte mundësi Moskës që të vendosë veton kundër të gjitha dislokimeve të trupave amerikane në Evropë, me arsyetimin se ato kërcënojnë sigurinë e saj, ndërsa vetë Rusia mund të grumbullojë shumë trupa përgjatë kufijve të saj me shtetet e NATO-s, përfshirë enklavën e saj në Kaliningrad.
Si të mos mjaftonte kjo, propozimet ruse do të pengonin SHBA-në të vendoste avionë bombardues por edhe forca detare në hapësirën ajrore si dhe ujërat ndërkombëtare “nga ku mund të sulmojë objektivat e palës tjetër”.
Edhe pse në dukje kjo kërkesë vlen për të dyja palët, në praktikë fokusi është tek 2 bazat ajrore amerikane jashtë kontinentit evropian dhe tek njësitë e saj detare që operojnë në Detin e Zi, Detin Baltik dhe në rajonin e Paqësorit Perëndimor.
Dokumenti i dytë i Ministrisë së Jashtme ruse, një projekt-marrëveshje me NATO-n, i bën jehonë disa prej dispozitave të projekt-traktatit. Për shembull, ai kërkon angazhimin e aleancës për të parandaluar çdo zgjerim të mëtejshëm të saj. Projekti citon në mënyrë specifike Ukrainën, por shkon edhe më tej.
Ai synon të pengojë çdo aktivitet të NATO-s në hapësirën ish-sovjetike, dhe të kufizojë dislokimet e trupave në ish-shtetet e Traktatit të Varshavës, pra në Republikën Çeke, Poloni dhe Hungari.
Nuk është për t’u habitur që si Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe NATO, i kanë hedhur poshtë kërkesat e Rusisë që janë të ngjashme me ato të Josif Stalinit dhe pasardhësve të tij sovjetikë.
Me shumë gjasa duhet ta ketë parashikuar një reagim të tillë. Megjithatë, Putini është qartësisht i inkurajuar nga reagimi relativisht i dobët i Perëndimit ndaj kërcënimit ushtarak rus ndaj Ukrainës.
Ndërkohë, ai nuk është i shqetësuar nga kërcënimet për sanksione të reja. Dhe e ka bërë të qartë se ndihma shtesë ushtarake perëndimore për Ukrainën, do të ishte një pretekst për kalimin e kufirit nga forcat ruse, me shumë gjasa në pjesën lindore të vendit.
Pra, Putin po e përdor krizën që ka krijuar vetë si një mjet për marrjen e lëshimeve nga Perëndimi, të cilat do të ishin të paimagjinueshme në të kaluarën e afërt. Dhe siç e zbuloi sërish së fundmi SHBA në Afganistan por edhe në Irak, dhe ashtu si dhe siç e zbuloi paraardhësi sovjetik i Rusisë kur zhvilloi një luftë në Afganistan, konfliktet kanë rrallë një kurs të paracaktuar.
Kësisoj, armiqësitë aktuale në Ukrainë mund të përhapen diku tjetër, duke minuar dekadat e stabilitetit evropian, dhe për shkak të përshkallëzimit të mundshëm në sferën bërthamore, ato paraqesin një kërcënim serioz edhe për sigurinë e Rusisë.
Nëse Putin është vërtet serioz për adresimin e shqetësimeve të Rusisë në lidhje me zgjerimin e NATO-s, ai duhet të urdhërojë ndaljen e grumbullimit të trupave në kufi me Ukrainën. Ato forca që janë tashmë atje, janë më se të mjaftueshme si një pengesë ndaj çdo plani që mund të ketë Kievi për të rimarrë me forcë provincat separatiste të Donetsk dhe Luhanskut.
Nëse bëhet e qartë se Kievi nuk ka ndërmend që ta bëjë këtë, Rusia duhet të fillojë gradualisht që t’i tërheqë ato forca, duke i konsideruar ato si pjesë të një stërvitje. Ndërkohë, Uashingtoni mund të kufizojë ndihmën e tij ushtarake për Kievin duke reduktuar dërgesat e armëve në nivele të ulëta të sistemeve mbrojtëse, siç ka bërë deri më sot.
Edhe NATO mund të bëjë të njëjtën gjë. Në këto rrethana, të dyja palët mund të fillojnë të negociojnë në mënyrë kuptimplotë, diçka që do të ishte e pamundur me spektrin e luftës në sfond. Tek e fundit, zgjidhja e krizës aktuale është në dorën e Putin.
Në rast se ai preferon të vazhdojë grumbullimin e trupave ruse në kufi me Ukrainën, ka të ngjarë të provokojë një përgjigje gjithnjë e më të ashpër të NATO-s, si në aspektin ekonomik – edhe Gjermania deri tani pasive, po kërcënon të ndërpresë punën e gazsjellësit “Nord Stream 2” – po ashtu edhe në atë ushtarak.
Nga ana tjetër, nëse ai është serioz për zhvillimin e negociatave, do t’i gjejë Uashingtonin dhe NATO-n të gatshëm për të biseduar, por jo në bazë të kushteve të përcaktuara në dy projekt-marrëveshjet e hartuara, të cilat do ta bënin krenar Stalinin. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al