Skandali me pagat, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës: Do kemi autorë

AKTUALITET


Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj tha sot se prokuroria po kryen të gjitha hetimet për çështjen e skandalit të publikimit të pagave dhe se do ketë dhe autorë.

Imeraj deklaroi se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen çdo veprim të nevojshëm dhe të duhur hetimor brenda një kuadrati të lejuar nga ligji.

“Në raport me çështjen në fjalë, do them dy fjalë shkurt, duke qenë se është një çështje sensitive dhe për shkak të vëmendjes së shtuar jo vetëm të gazetarëve, por dhe të opinionit publik në tërësi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen çdo veprim të nevojshëm dhe të duhur hetimor brenda një kuadrati të lejuar nga ligji. Jemi të bindur që deri në fund të këtij hetimi veprimet do të jenë intensive dhe do të konkludohet me vendimmarrje konkrete. Grupi hetimor është i përkushtuar në drejtim të kryerjes së veprimeve të duhura hetimore dhe normalisht që do kemi autorë”, deklaroi ajo.

Imeraj theksoi se për këtë çështje do të ketë një konferencë tjetër me zbulimin e autorëve.

Ndërsa Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale tha se “ne jemi përfshirë në grupin hetimor bashkë me prokurorinë e Tiranës dhe jemi duke kryer veprimet e nevojshme. Është një grup i posaçëm hetimor që po merret me këtë çështje”.



Skip to toolbar