Në një tjetër kontekst, epitetet “i çmendur” dhe “normal” do të rrinin shtrembër krah njëri-tjetrit. Por jo kur flitet për një vit kalendarik shqiptar. Atë trajektore ngjarjesh që përfshin harku i një viti. Mos shkoni më larg se skandali i publikimit të pagave. Vetëm 72 orë më pas duket sikur s’ka ndodhur asgjë. Trajektorja e konsumimit të një lajmi, ngjarjeje të bujshme, thashethemi apo sensacioni, është shumë më e shkurtër këtu tek ne, sesa në botën që na rrethon. Jo vetëm pse prodhojmë më shumë lajme sesa mund të na tresë stomaku, duke humbur kësisoj peshën dhe vlerën e asaj që ndodh, por edhe sepse në vend të opinionit publik që sheh, dëgjon dhe reagon, ne kënaqemi me mekanizmin e përfoljes së njëri-tjetrit dhe kaq. Muhabet kafesh, jo reagim qytetar. Pjesa tjetër është heshtje, jeta ndjek rrjedhën e saj dhe askush nuk interesohet për komshiun përballë.
Viti 2021 ka pasur megjithatë disa ngjarje që do të qëndrojnë gjatë në axhendën e punëve të këtij vendi. Edi Rama ka fituar mandatin e tretë qeverisës, Amerika ka zhveshur shpatën kundër Sali Berishës, një ish-prokuror i përgjithshëm është në kërkim ndërkombëtar pas dënimit me burg, Parlamenti shkarkoi Presidentin, kryetarë bashkish, ish-ministra e krerë institucionesh do ta kalojnë Vitin e Ri në burgje, dosje të bujshme si Gërdeci e inceneratorët kanë nisur të kërcënojnë kokat e para të politikës së lartë, ndërkohë që për herë të parë që nga viti 2005 Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë kthyer në armiq të tërbuar mes tyre. Duke i kujtuar 21 janarin njëri-tjetrit!
Gjatë 2021 u shfaq ndër ne një parti me dy kongrese, porsi një krijesë e frikshme mitologjike, ndërsa fundi i vitit rezervoi qershinë mbi tortë: rrogat dolën në meidan dhe shqiptarët ju futën me më shumë zell se kurrë sportit të tyre të preferuar, futjes së hundëve në xhepin e tjetrit!
Viti që po lemë pas shënon fillimin e mbylljes së ciklit politik për Shqipërinë. Pas asaj që ndodhi në harkun e 12 muajve të fundit, mund të themi me një lloj sigurie se 2021 ka vendosur themelet për fillimin e një përmbysjeje graduale në klubin ekskluziv të elitës politike. Skandalet dhe ngjarjet e bujshme të këtij viti po tregojnë se klasa drejtuese 30 vjeçare është kthyer tashmë në një rrangallë kombëtare, që i ka zënë rrugën gjithçkaje. Madje as ajri dhe as dielli nuk depërtojnë në mjegullën e rëndë që ka pllakosur mbi shtetin shqiptar për shkak të listës së frikshme të sëmundjeve kronike nga të cilat lëngon sot sistemi politik dhe institucional në këtë vend.
Viti 2021 ka lënë punë boll për vitin pasardhës. Do ta nisim janarin me teledramën e pushtimit të selisë së PD me trupat e “revolucionit paqësor” të Sali Berishës. Një parathënie e asaj që mund të na jetë rezervuar për muajt në vijim, kur të maisen e piqen krizat e tjera që tani presin radhën.
Viti që po mbyllet na shoqëroi me dy pandemi që qëndruan të palëvizshme në sfondin e jetës shqiptare: pandeminë e Covid 19 dhe “pandeminë” e integrimit evropian. Të ndryshme por edhe të ngjashme mes tyre, pasi janë të dyja të padukshme për syrin, të pamatshme dhe të papërcaktuara saktë në dimensionet e tyre. Ndërkohë që të parës i është gjetur disi terezia me vaksina e ilaçe, të dytës, që zgjat prej tre dekadash, s’ka doktor që i bën derman. Jetojmë një ëndërr që na largohet sa herë duam ta kapim më duar, një “virozë” që as na lëshon, as na tërheq pas vetes.
Në fund fare të këtyre 12 muajve mësojmë se nuk kemi dalë dot nga stereotipi i tranzicionit, ku kalërimi i çmendur i ngjarjeve shqiptare është kthyer në normalitet dhe në mënyrë të përditshme jetese. Aq sa edhe një kompromis parlamentar për një ligj çfarëdo, edhe një deklaratë pak më e butë sesa duhet mes palëve, ngjan si anomali, si një mallkim, si një deformim. Duam turravrapin tonë të çmendur, brenda të cilit ndjehemi të qetë dhe të plotësuar. Dhe 2021 na ngopi me ngjarje të çmendura që na duken tashmë si normale. Një vit i çmendur dhe normal shqiptar!