Në fjalimin e tij në përvjetorin e parë të sulmit ndaj Kongresit amerikan nga mbështetësit e paraardhësit të tij, presidenti Joe Biden pritet që t’u bëjë thirrje amerikanëve që të vendosin nëse duan që SHBA-ja “të pranojë dhunën politike si normë”.
Ai do të sugjerojë se “mënyra për të ecur përpara është që të pranohet e vërteta”, ka thënë një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Më 6 janar shënohet përvjetori i parë i dhunës në Kongresin amerikan, ku turma njerëzish kishin tentuar që të ndalnin certifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet presidenciale, kundër republikanit Donald Trump. Shumica e republikanëve kanë refuzuar që të marrin pjesë në ngjarjet që do të mbahen për të shënuar këtë përvjetor.
Presidenti Biden do të flasë nga ndërtesa e Kapitolit, që ishte skenë e sulmit, ku vdiqën të paktën pesë persona, përfshirë edhe një protestues që u qëllua nga policia.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Biden “do të flasë për rëndësinë e asaj që ndodhi në Kapitol dhe për përgjegjësinë që presidenti Trump ka për kaosin dhe kërdinë që pamë”.
Trump, i cili vazhdon të pretendojë se ka fituar zgjedhjet e vitit 2020, dhe ka lënë të kuptohet se do të garojë në zgjedhjet e vitit 2024, ka mohuar se ka nxitur dhunën.
“Në këtë moment ne duam të vendosim se çfarë shteti do të jemi”, pritet që Biden të deklarojë, sipas një pjese të fjalimit që është publikuar. “A do të jemi shtet që do të pranojë dhunën politike si normë? A do të jemi shtet që do të lejojë zyrtarët partiakë zgjedhorë të përmbysin vullnetin e popullit? A do të jemi shtet që nuk jeton duke u bazuar në dritën e të vërtetës, por jeton në hijet e gënjeshtrave? Ne nuk mund të lejojmë që të shndërrohemi në një shtet të tillë. Mënyra më e mirë përpara është që të pranojmë të vërtetën dhe të jetojmë me të”./REL