Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dënon prezencën e trupave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën. Ambasada citon një deklaratë e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken i cili thekson se rritja e prezencës ushtarake nxit sipas tij narrativën e rreme se Ukraina kërkon të provokojë konflikt me Rusinë.
“Ne dënojmë prezencën ushtarake në rritje të Rusisë në kufijtë e Ukrainës, si dhe retorikën gjithnjë e më të ashpër të Moskës, pasi ajo vazhdon të nxisë narrativën e rreme se Ukraina kërkon të provokojë konflikt me Rusinë”. Sekretari i Shtetit Anthony Blinken“, shkruan ambasada.
Për disa javë, Perëndimi është shqetësuar për raportimet se Rusia ka angazhuar dhjetëra mijëra ushtarë në zonat jo fort larg Ukrainës, duke nxitur frikë për pushtim rus. Rusia hedh poshtë këto supozime dhe akuzon Ukrainën se ka dërguar më shumë ushtarë në zonat lindore, të cilat kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Këto zhvillime kujtojnë ngjarjet e vitit 2014, kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nisur të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës.