Në 18 janar në Gjykatën Kushtetuese do të zhvillohet seanca për shkarkimin e Presidentit Meta.
Kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla sqaroi procedurat që do të ndiqen në rast se Gjykata vendos për shkarkim. Sipas tij, Kushtetuta në këtë rast nuk ka lënë vakum, pasi detyrën e merr Kryetari i Parlamentit, dhe menjëherë pas kësaj nis procedura në Parlament.
Po ashtu Balla u shpreh se në mes të prillit të këtij viti fillon procedura normale për zgjedhjen e presidentit të ri dhe është çështje javësh që kjo procedure te futet ne punimet e parlamentit.
“Nuk jam orakull të parashikoj. Në 18 janar zhvillohet një seancë e parë ku pala në fjalë që është kuvendi, por natyrshëm është e njëjta shumicë që ishte në legjislaturën e kaluar dhe duhet të mbrojë qëndrimin. Kështu që një përfaqësi do të jetë në atë seancë për të parashtruar provat që kuvendi gjeti për shkarkimin e presidentit. Unë nuk e di kur gjykata do të shprehet për vendimmarrje.
Ajo që ne kemi gjetur në raportin përfundimtar për shkarkimin e presidentit është fakte dhe prova që justifikojnë shkarkimin. Në këtë drejtim Kushtetuta nuk ka lënë vakum. Pra në momentin e shkarkimit menjëherë kryetari i Kuvendit merr kompetencat e Presidentit dhe Kuvendi nis procedurat. Jo më pak se 20 firma mund të mbështesin një kandidat. Procedura është e qartë.
Të mos harrojmë që në mes të prillit të këtij viti fillon procedura normale për zgjedhjen e presidentit të ri. Kjo është një çështje javësh dhe në një nga javët do të zërë vend në punimet parlamentare”, tha Balla.
I pyetur se a ka shans për një presidenti konsensual, kryetari i grupit parlamentar të PS sqaroi: “Kushtetuta ka parashikuar që në 3 raundet e para presidenti zgjidhjet me shumicë të cilësuar dhe në raundin e 4-5 zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Kështu që jemi ende herët për të parashikuar çfarë do të ndodhë në momentin e krijimit të vakancës.
Ajo që duhet të jetë e qartë është që në PS nuk ekziston një rast që të ketë vënë në dyshim vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
PS respekton vendimet e gjykatave. PS do të respektojë vendimin e gjykatës kushtetuese dhe ne nuk bëjmë thirrje për të marrë vendime si na pëlqen ne. Në rast se presidenti ka shkelur kushtetutën duhet të shkarkohet. Në rast se gjykata mendon të kundërtën duhet të respektohet”