Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi Shqipërisë të largojë përfaqësuesit e FETO-s, nëse do që të mbajë marrëdhëniet vëllazërore me Turqinë.
Në fjalën e tij në Kuvend, Erdogan foli qartë kur tha se kjo çështje duhet të jetë zgjidhur deri në vizitën e tij të ardhshme.
“Shteti ynë, OJQ-të, bota e biznesit do të vazhdojnë të qëndrojnë gjithmonë pranë Shqipërisë në çdo fushë që ka nevojë. Po kështu, sinqerisht besojmë që edhe miqtë tanë shqiptarë do të kenë parasysh ndjeshmëritë e Turqisë”, u shpreh Erdogan, i cili theksoi se “lufta kundër organizatës terroriste FETO, e cila tentoi një grusht shteti në vendin tonë, sulmoi demokracinë, bombardoi Parlamentin dhe Kuvendin e Republikës së Turqisë, si dhe masakroi popullin tonë, është një nga ndjeshmëritë tona, së cilës i kushtojmë vëmendje të veçantë.
Dhe fatkeqësisht anëtarët e kësaj organizate edhe 5 vjet pas tentativës për grusht shteti në vendin tonë vazhdojnë të jenë në Shqipëri, të tregojnë ekzistencën e tyre në çdo fushë, në fushën e arsimit, të shëndetësisë, në institucionet fetare, si dhe në një pjesë të konsiderueshme të sektorit privat.
Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të thotë të vërtetën edhe nëse është e hidhur. Por çështjen e FETO-s ne e shohim si parakusht vëllazërie, miqësie dhe partneriteti tonë strategjik që shprehim sinqerisht të vërtetën. Ashtu si në Turqi, edhe këtu institucionet dhe qarqet e lidhura me FETO-n kanë axhenda të fshehura, ndaj nuk duhet të keni asnjë lloj dyshimi se ata me të ardhur koha do të zbulojnë fytyrat e tyre të vërteta. Dhe atëherë të gjithë do ta kuptojnë. E njëjtë si Turqia, e njëjtë si shumë vende të tjera të botës.
Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë shumë helmuese, tradhtare, tinëzare, që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja juaj. Nëse nuk veproni menjëherë në kohë, është e pashmangshme që tentativat e ngjashme të kësaj strukture në vendin tonë të përsëriten edhe këtu në Shqipëri. Ne e kemi përjetuar dhe parë shumë këtë organizatë, një gjë e vërtetë, e cila realisht kemi paguar ne si shtet, si Turqi, një kosto shumë të rëndë.
Ne konsiderojmë si detyrë të shprehemi, kudo që shkojmë, t’ua tregojmë vëllezërve tanë, miqve tanë, që të mos kenë të njëjtin fat që ne përjetuam më përpara. Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme kundër strukturës së FETO-s në vend dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen për këtë arsye. Shpresoj që kjo çështje në vizitat e ardhshme që do të zhvillojnë Shqipëri të ketë marrë formë të prerë”, u shpreh Erdogan.
Sipas Presidentit të Turqisë, Shqipëria është fqinji me zemër i Turqisë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rrënjësuara në një histori të gjatë dhe të fortë.
“Jam shumë i lumtur që vizitoj përsëri Shqipërinë, me të cilën kemi lidhje të forta historike dhe humane. Dhe me këtë rast të jem këtu në Kuvendin e Shqipërisë së bashku me juve”, tha Erdogan duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Erdogan: Ju këshilloj të bashkoni Ministrinë e Turizmit me Kulturën
Turqia dhe Shqipëria kanë nënshkruar këtë pasdite 7 marrëveshje. Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me Presidentin turk Erdogan, theksoi se një vit më parë në Ankara kanë firmosur një deklaratë për të ndërtuar Këshillin e Bashkëpunimit të nivelit të lartë.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë, Edi Rama, theksoi se Turqia është një shembull dhe do të forcojnë më tej marrëdhëniet me njëritjetrin duke bashkëpunuar në shumë fusha. Por Presidenti turk Erdogan pati një këshillë për Kryeministrin Edi Rama që Ministria e Kulturës dhe ajo e Turizmit të mos jenë të ndara.
“Turizmin dhe kulturën ne i kemi në një ministri të vetme, ndërsa ju i keni të ndara, por mund të shohim se çfarë mund të bëjmë për paketa turistike, sikur t’i ndani këto ministritë. Ne turizmin dhe kulturën e kemi në një çati të vetme dhe nuk mendojmë t’i ndajmë dhe kështu vazhdon situata. Nuk është një sinjal kjo për ju, nëse jeni të kënaqur nga kjo situatë, vijoni me 2 ministri të ndara”, tha Erdogan.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, u takua dje me homologun turk, Süleyman Soylu. Çuçi ka nënshkruar me të edhe një marrëveshje për trajnimin e forcave të Policisë së Shtetit nga Xhandarmëria turke.
“Takimi në Tiranë me homologun dhe mikun turk Süleyman Soylu, me të cilin hodhëm sot një hap konkret përpara në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Fushën e Trajnimeve dhe Arsimimit për Zbatimin e Ligjit”, u shpreh ministri Çuçi teksa ndan disa foto nga takimi.
“Cilësia e arsimit dhe kualifikimi profesional i forcave tona të sigurisë janë shumë të rëndësishme për të përgatitur drejtues të kualifikuar, me njohuri dhe aftësi moderne, që dinë të adresojnë sfidat e kohës. Xhandarmëria turke do të ofrojë në këtë drejtim të gjithë ekspertizën dhe kapacitetet për Policinë e Shtetit dhe jo vetëm”, tha Çuçi