Një grindje mes bandave rivale ka çuar në shkatërrimin e dy grupeve italo-shqiptare në Romë, të cilat merreshin me trafikimin e lëndëve narkotike. Sipas mediave italiane, grupet kriminale drejtoheshin njëri nga Ermal Arapaj i njohur si ‘Ufo’, ndërsa nga ana tjetër ishte Elvis Demçe, i cili drejtonte grupin rival. Pas një aksioni ‘Blic’, të zhvilluar nga policia italiane mëngjesin e 18 janarit, u arrestuan 27 persona, duke u shmangur në këtë mënyrë disa vrasje të mundshme, për trafikun e drogës. Mes grupeve rivale, më herët ka pasur përplasje edhe me viktima. Mediat italiane përmendin vrasjen e Selavdi Shehajt i njohur si “Simoncino”, shqiptar i vrarë në plazh në vitin 2020, apo Fabrizio Piscitelli, i njohur si ‘Diabolik’, i vrarë në mes të ditës, ku sipas hetimi të fundit nga karabinierët, ai ishte shumë pranë Elvis Demçes. Ndaj 27 të arrestuarve rëndojnë disa akuza, nga trafiku me metoda mafioze i drogës, posedimi i armëve të zjarrit apo plagosja me armë zjarri.
Kush janë Ermal Arapaj dhe Elvis Demçe
Hetimet nisin vite më parë! Ishte data 27 dhjetor 2017 kur në Artena është gjetur trupi i djegur i Cristian Di Lauro, i zhdukur ditën e Krishtlindjeve. Një vrasje brutale, ku u desh që karabinierët të nisin një sërë hetimesh dhe në këtë mënyrë të thellojnë njohjen e Arapajt dhe sesi ai kishte ngritur një grup të mirë strukturuar. Demçe, nga ana tjetër, përfundon në sferën e hetimit në prill 2020, menjëherë pas lirimit me dhënien e arrestit shtëpiak. Kështu, hetimet e zgjatura në periudhën 2017-2020, bënë të mundur hipotezën e funksionimit të dy grupeve italo-shqiptare, “me një strukturë organizative solide dhe me disponueshmëri të armëve të zjarrit”. Sipas hetuesve, një rëndësi të veçantë ka figura e Demçes, e cila ‘sundon’ në periferinë lindore të Prenestinos. Demçe ishte i konsideruar nga hetuesit me një profil të lartë kriminal, i gatshëm për të bërë gjithçka dhe shumë shpejt nëpërmjet furnizimit me sasi të mëdha droge. Emri i tij përfundoi gjithashtu në qendër të hetimeve për vrasjen e Federico Di Meo në 2013.
Rritja e Demçes dhe dhuna për të mbledhur borxhet
Më 27 korrik 2020 dolën “elemente shumë të qarta në lidhje me blerjen e një ngarkese të madhe droge” nga grupi Demçes. Droga u sekuestrua me 7 gusht, pas kontrollit të një Porsche Macan, në të cilën ndodheshin dy të rinj. Droga e llojit kokaine, u gjet në bagazh dhe arrinte një peshë totale rreth 90 kilogramë dhe që siguronte të ardhura të majme nga shitja e saj. Sipas aktakuzës, djemtë e Demçes përdornin forcën dhe presionin kundër rivalëve apo blerësve që nuk paguanin. Në një rast, në San Basilio, grupi i dhunshëm i Demçes zhvatën dy vëllezër, në një nga sheshet më të populluara në Romë, për t’u marrë 100 mijë euro, të ardhur nga tregtia e drogës, të cilat nuk ishin paguar.
Grupi i Arapajve
Më shumë në periferi, vepronte grupi i Arapajt, i cili kishte një bazë operacionale në Velletri. Nga sa është konstatuar, grupi kriminal akuzohet se ka kryer ‘biznesin e shpërndarjes së drogës nëpër shtëpia’ për të shmangur kontrollet e shpeshta. Kokainën që shpërndante, grupi i Arapajt e merrte nga bashkatdhetarët shqiptarë në zonën e Porto San Elpidio, ndërsa jashtë vendit i referohej tregtisë holandeze dhe kolumbiane.
Sherri mes Arapajt dhe Demçes
Gjithçka nisi për zaptimin e territoreve ku shpërndanin drogën. Sipas policisë pati një rritje të tensionit kur Elvis Demçe filloi të kërkonte kontrollin e zonave në Velletri të menaxhuara, nga Ermal Arapaj. Bisedat e përgjuara konfirmuan urrejtjen e Demçes ndaj bashkatdhetarit të tij, i cili pas arrestimit kishte marrë drejtimin e zonës, por pa i dhënë asnjë lehtësim ekonomik.
Një fyerje. Kështu, mungesa e kompensimit e bëri Demçen të planifikonte një pritë kundër rivalit të tij më 9 korrik 2020, në komunën e Lanuvios. Një pritë, në të cilën Arapaj ka arritur të shpëtojë duke qëlluar i pari dhe duke goditur në këmbë një nga ekzekutorët e caktuar nga Demçe. Në mëngjesin e 5 shtatorit 2020, grupi i Demçes hapi zjarri në Velletri, duke dëmtuar vilën dhe makinat e Arapajt dhe partneres së tij.
Një përshkallëzim i dhunshëm që e detyroi Arapajn të arratisej në Spanjë, nga frika e hakmarrjes. Një pushim për një kohë të shkurtër. Aq sa, me kthimin në Itali, Arapaj kishte filluar të planifikonte me shumë detaje për vrasjen e Demçes. Një plan vrasës, megjithatë, i penguar nga hetimi i operacionit ‘Alba Bianca’, i 9 shkurtit 2021 dhe i realizuar nga karabinierët, ku Arapaj përfundoi në pranga. Gjatë kontrollit të policisë për arrestimin e tij, në një shtëpi në Fermo, ku banonin Arapaj dhe partnerja e tij, u gjet një pistoletë model Steyr 40, një karikator me 12 fishekë dhe një maska. Pajisjet që, me sa duket, synohej të përdorej për të konsumuar vrasjen e rivalit Elvis Demçe. Pajisje këto që synohej të përdoreshin në vrasjen e rivalit Elvis Demçe./ shqiptarja.com