Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka lëshuar një paralajmërim për liderët botërorë duke thënë se pandemia e koronavirusit “nuk është afër fundit”. Doktor Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi kundër supozimit se varianti i ri dominues i Omicron është dukshëm më i butë dhe ka eliminuar kërcënimin e paraqitur nga virusi. Ndërhyrja vjen pasi disa vende evropiane panë numra rekord të rasteve.
Franca raportoi gati gjysmë milioni raste të reja ditore të martën. Duke folur gjatë një konference për shtyp në selinë e OBSH-së në Gjenevë, Doktor Tedros u tha gazetarëve se varianti Omicron kishte çuar në 18 milionë infeksione të reja në të gjithë botën gjatë javës së kaluar raporton “BBC”. Ai tha gjithashtu që “mos bëni gabim, Omicron po shkakton shtrime në spitale dhe vdekje”. Kreu i OBSH-së paralajmëroi udhëheqësit globalë se “me rritjen e pabesueshme të Omicron në nivel global, ka të ngjarë të shfaqen variante të reja, kjo është arsyeja pse gjurmimi dhe vlerësimi mbeten kritike”.
Drejtori i urgjencave të OBSH-së, Doktor Mike Ryan, paralajmëroi gjithashtu se transmetimi i rritur i Omicron ka të ngjarë të shkaktojë një rritje të shtrimeve në spital dhe vdekjeve, veçanërisht në vendet ku vaksinohen më pak njerëz. “Një rritje eksponenciale e rasteve, pavarësisht nga ashpërsia e varianteve individuale, çon në rritje të pashmangshme të shtrimeve në spital dhe vdekjeve,” tha ai.