Autoritetet malazeze shprehen se homologët e tyre nga Shqipëria ende nuk ju kanë dërguar informacion për rastin e vrasjes në muajin maj të këtij viti të oficerit të antidrogës së Ulqinit dhe Tivarit, Rudolf Elezoviç, që u ekzekutua dhe më pas trupi u gjet pranë lumit Buna, pranë fshatit Shëngjergj të Ulqinit.
Prokuroria në Podgoricë deklaron se rasti është ende në hetim dhe nuk ka asgjë konkrete. Prokurori sqaroi se deri më tani është duke u hetuar nëse është vrarë apo është vetëvrarë dhe gjithashtu janë mbledhur të dhëna nga disa persona.
“Pas marrjes së përgjigjes nga Shqipëria prokuroria do të bëjë një analizë të plotë të të gjitha provave dhe të dhënave të mbledhura dhe marrjen e një vendimi”, thuhet në reagim. Gjithashtu në verifikim janë edhe tabulatet telefonike.Zhdukja e Rudolf Elezoviç ishte raportuar më 27 maj nga bashkëshortja e tij, ndërsa më 8 qershor trupi i tij i pajetë është gjetur në lumin Buna, në territorin e komunës së Ulqinit. Ai kishte plagë me armë zjarri në kokë dhe trup.