SHBA: Nëse Rusia pushton Ukrainën “vdes” gazsjellësi “Nord Stream 2”

BOTA


Shtetet e Bashkuara po rrisin presionin e tyre ndaj Rusisë për të parandaluar një pushtim të Ukrainës. “Nord Stream 2” tani është në lojë. Nëse Rusia pushton Ukrainën, gazsjellësi i diskutueshëm “Nord Stream 2” nuk do të aktivizohet, tha sot në një konferencë shtypi nënsekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland.

“Ne po vazhdojmë bisedimet tona me aleatët tanë gjermanë dhe dua të jem e qartë me ju sot: nëse Rusia pushton Ukrainën, në një mënyrë ose në një tjetër, “Nord Stream 2” nuk do të ecë përpara”, tha Nuland.

Uashingtoni shpreson se Rusia do të studiojë atë që Shtetet e Bashkuara kanë për të ofruar dhe do të kthehet në tryezën e negociatave, pasi të marrë përgjigjen me shkrim që ka kërkuar.

Duke iu referuar Kinës, e cila ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për “shqetësimet e arsyeshme” të Rusisë, ajo tha se Pekini duhet të përdorë “ndikimin” e tij në Moskë për të parandaluar një sulm ndaj Ukrainës.

“Ne i bëjmë thirrje Pekinit të përdorë ndikimin e tij në Moskë për të shtyrë (rusët) në diplomaci, sepse nëse ka një konflikt në Ukrainë, nuk është mirë as për Kinën” tha ajo. Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken foli me telefon më herët gjatë ditës me homologun e tij kinez, Wang Yi.



Skip to toolbar