Presidenti Vladimir Putin tha të enjten se Rusia sapo kishte filluar në Ukrainë dhe sfidoi Perëndimin që të përballej me vendin e tij në fushën e betejës, megjithëse këmbënguli se Moska ështe ende e hapur ndaj idesë së bisedimeve të paqes.
Në një fjalim para udhëheqësve të parlamentit më shumë se katër muaj pas luftës, presidenti rus tha se sa më shumë të zvarritej konflikti, aq më shumë do të zbehej perspektiva për negociata.
“Kemi dëgjuar shpesh që Perëndimi do që të luftojë kundër nesh deri në ukrainasin e fundit. Është një tragjedi për popullin ukrainas, por duket se gjithçka po shkon në këtë drejtim”, tha ai.
Por Putin foli gjithashtu për mundësinë e negociatave.
“Ne nuk i refuzojmë bisedimet e paqes. Por ata që i refuzojnë ato duhet të dinë se sa më shumë përshkallëzohet gjendja, aq më e vështirë do të jetë për ta që të negociojnë me ne.”
Ishte hera e parë pas disa javësh që Rusia i referohej diplomacisë, pas deklaratave të përsëritura nga Moska se negociatat me Kievin kishin dështuar plotësisht.
Kryenegociatori i Ukrainës, Mykhailo Podolyak, hodhi poshtë idenë e zotit Putin për një plan kundër Rusisë nga Perëndimi.
“Nuk ka asnjë plan ‘kolektiv të Perëndimit’. Vetëm një ushtri e caktuar (ruse) që ndërhyri në Ukrainën sovrane, duke bombarduar qytete dhe duke vrarë civilë,” shkruante zoti Podolyak në Twitter.
Zoti Podolyak tha në Twitter këtë javë se kushtet e Ukrainës për të rifilluar bisedimet do të përfshijnë armëpushimin, tërheqjen e trupave ruse, kthimin e qytetarëve të rrëmbyer, ekstradimin e kriminelëve të luftës dhe njohjen e të drejtave sovrane të Ukrainës./VOA