Për kryetarin e Parlamentit Serb, Ivica Daçiç, Kosova është faktori kryesor i destabilitetit në rajon, kjo pasi që ajo nuk i përmbahet asgjëje të rënë dakord në kuadër të dialogut e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në leximin e tij të situatës aktuale politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Daçiç, pretendon se Kosova posa të nënshkruaj një marrëveshje ndërkombëtare me Beogradin, kërkon arsye për të mos e zbatuar atë, edhe pse në marrëveshjen e fundit të nënshkruar ndërmjet dy vendeve në fushën e energjisë, është Serbia ajo e cila nuk i ka kryer detyrimet e saja.
“Kurti pretendon se marrëveshjet e Brukselit dhe Uashingtonit nuk ekzistojnë. Problemi është se Kosova nuk i përmbahet asgjëje për të cilën kemi rënë dakord. Është e qartë, për ata që nuk janë shurdh, memece dhe të verbër, kush është faktori kryesor i destabilitetit”, ka thënë Daçiç në një intervistë për mediumin serb “TV Prva”.
Sipas Daçiç, Beogradi në gjithë këtë mes është ajo që dëshiron të “zbatojë” marrëveshjet dhe ta ruaj paqen në Ballkanin Perëndimor.
