I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndrojnë në Serbi pas vizitës në Kosovë, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur tensionet që pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit në përdorimin e dokumenteve personale dhe targave të makinave.Zoti Lajçak, i cili u takua vetëm për vetëm me presidentin serb para se takimit t’i bashkohej zoti Escobar, tha se pati “një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me presidentin Vuçiç. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet e dala nga bisedimet duhet të zbatohen, përfshirë edhe Marrëveshjen e për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona më vonë sonte”, shkroi ai.
“Të vështirë dhe të gjatë” e cilësoi takimin edhe zoti Escobar. Në një postim të ambasadës amerikane në Beograd ai citohet të ketë thënë se e vlerëson “angazhimin e presidentit për paqen dhe qëndrueshmërinë. Do të vazhdojmë bisedimet”.
Edhe presidenti serb tha se takimet ishin të vështira dhe “do të vazhdojnë pas orës 22:00”,
“Gjithmonë do të përpiqemi të ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë, do të luftojmë për paqen dhe qëndrueshmërinë, por asnjë sekondë nuk do të shmangemi nga interesat tona jetike, kombëtare shtetërore, mbi të gjitha interesat e popullit tonë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.
Lajçak: Të parandalohet përsëritja e tensioneve në veriun e Kosovës
Të dy diplomatët perëndimorë shkuan në Beograd pas vizitës në Prishtinë gjatë së cilës thanë se synimi është shmangia e tensioneve në veriun e Kosovës, një javë para se të hyjë në fuqi vendimi i qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në përdorimin e dokumenteve personale dhe targave të makinave.
Të dy të dërguarit u takuan një ditë më parë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe shefave partive opozitare, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte tensionet në terren. Ata nuk ka dhënë hollësi lidhur me propozimet e mundshme për zgjidhjen e çështjes.
Të enjten ata qëndruan në Mitrovicën e Veriut të banuar me shumcië serbe.
“Një mesazh shumë i fortë nga bashkësia ndërkombëtare është se ne nuk mund të jemi më 31 gusht në një situatë si ajo e 31 korrikut dhe për këtë arsye ne kërkuam këto takime si ai në Bruksel javën e kaluar dhe prandaj jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, që njerëzit të mos kenë frikë për jetën e tyre, kështu që ne bëjmë gjithçka që të mos ketë barrikada”, tha ai.
“Ne dëgjuam shqetësimet e kryetarëve dhe misioni ynë vazhdon në Beograd. Shpresoj se do të jemi në gjendje të bëjmë një njoftim në Beograd më vonë sot ose nesër”, tha i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.
“Çfarëdo vendimi të merret, serbët janë në qendër të atij vendimi, sepse çdo vendim i keq ua përkeqëson jetën dhe çdo vendim i mirë përmirëson kushtet e jetesës. Biseduam gati dy orë në hollësi për shumë gjëra dhe sigurisht që misioni ynë vazhdon, prej këtu do të shkojmë në Beograd dhe do të kemi një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe pastaj të shohim nëse ia dolëm dhe ku jemi për momentin në bisedime”, tha zoti Lajçak.
Më 31 korrik grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët kryesore për të penguar zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.
Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatime vendimeve deri më 1 shtator deri kur ka mbetur edhe një javë kohë për gjetjen e një zgjidhjeje politike./VOA