Sali Berisha po përpiqet të bëjë një prove force në shtator, për të verifikuar efektin e Foltores brenda grupit parlamentar të PD.
Propozimi i tij për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Luciano Boçin, natyrisht që nuk ka asnjë vlerë ligjore, por ka një peshë politike. Ai vlen për të kuptuar nëse Berisha është shumicë apo pakicë në Grupin parlamentar.
Po pikërisht këtu qëndron dhe hileja e Berishës. Ai e di që nuk e shkarkon dot Alibeajn. E di që nuk ka as votat brenda grupit, sikur Alibeaj ta sfidojë e t’i thotë eja më shkarko.
Por për të qenë i sigurt që Grupi nuk do ta përfillë dhe nuk do t’ia hedhin në votim propozimin, e paraqet atë si vendim të PD që duhet zbatuar patjetër.
D.m.th. bën diçka tërësisht të paligjshme me vetëdije, që duke mos ju pranuar, të mos kuptohet që është pakicë në grup, por të duket sikur ka shumicën, por nuk e lënë këta ta marrë
Pra e gjitha është një taktikë për të fshehur pafuqinë dhe jo për të sfiduar Grupin si përfaqësues i shumicës.
Aq më tepër e di mirë që ai nuk ka asnjë përfaqësim juridik të PD dhe nuk mund të flasë në emër të PD, derisa çështja është në gjykatë.
Pra çdo detaj i kësaj shpikje të tij, tregon qartë se Berisha nuk di çfarë t’u ofrojë të vetëve në shtator si trofe dhe ka zgjedhur të bëjë sikur nuk e lënë të shkarkojë Alibeajn.
Në fakt thjesht nuk e shkarkon dot dhe sikur ta lënë, pasi nuk e ka shumicën. Por ai ka zgjedhur ta kërkojë në mënyrë aq të paligjshme, sa të jetë i sigurtë që nuk do ta fusin në votim dhe ta turpërojnë.