Pas arritjes së marrëveshjes mes-Serbisë dhe Kosovës për njohjen e dokumenteve për qytetarët ka dhënë një reagim Departamenti Amerikan i Shtetit. DASH thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një kanal që do të sigurojë që dy vendet të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse.
DASH thotë për ‘Gazetën Ekspres’ se këto marrëveshje do të arrihen përmes dialogut do të bëjnë të mundur që të dyja vendet të nisin procesin e integrimit në BE.
“Këto çështje po trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilin Shtetet e Bashkuara e mbështesin. Ne besojmë se Dialogu është një kanal dhe një mekanizëm përmes të cilit Serbia dhe Kosova arrijnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve që do të zhbllokojë të ardhmen evropiane për të dyja vendet”, thotë DASH për Gazetën Express.
Me ndërmjetësimin e BE-së, DASH shprehet se po pret që deri në fund të muajit dy vendet të gjejnë një mënyrë për të vazhduar dialogun në mënyrë paqësore dhe të arrijnë në zgjidhjen e ‘konflikteve’.
“Pra, pres që deri në fund të muajit, bazuar në angazhimet e të dyja palëve dhe në punën e palodhur të Përfaqësuesit Special për Bashkimin Evropian, të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara në mënyrë paqësore”, ka theksuar zëdhënësi.
Kosova dhe Serbia arritën një ditë më parë marrëveshje për dokumentet identifikuese. Serbia i ka njohur dokumentet e Kosovës duke sjellë që qytetarët do të udhëtojnë lirshëm duke përdorur dokumentet e tyre. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politikën e Jashtme Josep Borrell njoftoi se sipas Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për qytetarët e Kosovës, çka solli që edhe kryeministri Albin Kurti të mos vendosë masën e reciprocitetit për qytetarët serbë, ndonëse kishte paralajmëruar që do të vihej më 1 shtator nëse s’do arrihej marrëveshje.
Në një reagim pas marrëveshjes, kryeministri i Kosovës, nënvizon se zgjidhjet duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda. Edhe politika shqiptare ka përshëndetur marrëveshjen Kosovë-Serbi, teksa shprehin mirënjohjen për SHBA-në dhe BE-në, drejtuesit kryesor të politikës në vend nxisin zhvillimin e dialogut mes dy vendeve.
Gjatë kësaj jave, Escobar dhe Lajçak qendruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me liderët shtetërorë dhe partiakë për çështjen e dokumenteve dhe targave. Ata thanë se palët duhet të zotohen se do të shmangin dhunën më 1 shtator.