Toyota Yaris dhe bananet: Pse hetimet përfshinë PD

#NËRADAR


Të gjithë u habitën përse prokurorët belgë kanë kërkuar të dokumentojnë dëshminë e kryetarit të PD për çështjen e makinave Toyota Yaris. Nga Brukseli ka mbërritur në prokurori një letër-porosi ku kërkohet që Lulzim Basha të pyetet se nga e ka marrë informacionin që ai publikoi, përpara se ngjarja të ndodhte dhe autorët të kapeshin nga policia.

Kjo çështje po hetohet në Shqipëri dhe Belgjikë, por burime nga PD i thanë të martën portalit “Balkanweb” se Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka shprehur gatishmërinë e plotë të kontribuojë në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge për dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro.

“Zoti Basha është shprehur i gatshëm të dëshmojë për të ndihmuar në zbardhjen e lidhjeve kriminalo-politike në aferën e pastrimit të miliona eurove me garanci politike”, siç e ka cituar burimi. Për këtë ngjarje, Basha akuzoi të përfshirë Taulant Ballën dhe më pas edhe Ulsi Manjën. Por në një prononcim për mediat atë kohë, Balla akuzonte Bashën se në Gjermani në fakt kishte qenë ai vetë në kohën e aksionit ndërkombëtar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në qershor të vitit të shkuar, në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zvicerane, të padeklaruara. 

Ndërkaq, policia ka arrestuar 4 persona ndërsa janë shpallur në kërkim dy të rinj nga Peshkopia, por me banim në Tiranë, të cilët dyshohet se ishin porositësit e ngarkesës së sekuestruar, që ishte nisur nga Gjermania, përmes linjës së trageteve Ancona-Bari.

Lajmi u dha publikisht nga Basha dy ditë përpara se ato të kapeshin nga autoritetet shqiptare. Por duket nuk është vetëm kjo arsyeja përse belgët po kërkojnë dëshminë e tij.

Burime i thanë Realstory.al në mënyrë të rezervuar, se kjo ngjarje mund të lidhet me një tjetër ngjarje të rëndë kriminale më herët gjatë vitit 2018. Në shkurt, në një aksion tjetër ndërkombëtar së bashku me autoritetet shqiptare, u sekuestruan 613 kilogramë drogë, të sistemuara në kuti bananesh në kontejnerët e një kompanie shqiptare. Droga u kap në Shqipëri, por pronari Çekaj i firmës u kap në Gjermani dhe duhet të ekstradohej drejt Shqipërisë, një gjë që ai i parapriu duke kërkuar azil politik. Por në Shqipëri u arrestuan disa të tjerë, ndonjë edhe i ekspozuar politikisht.

Burimet thonë se dëshmia e Bashës, nëse ai tregon burimin e informacionit për llogari të prokurorisë belge, mund të hedhë dritë në lidhje me përgjimet e dy grupeve kriminale në Belgjikë si dhe një skeme pastrimi parash, një gjë që vetë Basha e përmendi një ditë më parë, cituar nga Balkanweb.

Dy ngjarjet kanë ndodhur në 2018, njëra në shkurt dhe tjetra në qershor. Në të dyja rastet bëhet fjalë për aksione ndërkombëtare ku kanë qenë të përfshira dhe organet shqiptare të sigurisë dhe hetimit. Në të dyja rastet duket se aksionet janë dekonspiruar nga interceptimet e grupeve kriminale, aktive dhe në Belgjikë. Por ai i Toyota Yaris u ekspozua publikisht dy ditë më herët sesa nga vetë organet ligjzbatuese, nga lideri i opozitës.

Ajo çka bashkon të dyja ngjarjet është edhe pastrimi i parave nga grupet kriminale. A kanë qenë të dyja ngjarjet të lidhura edhe për këtë? A ka qenë një hakmarrje mes grupesh kriminale për pazare të prishura droge, pas kapjes së 613 kilogramëve kokainë? A janë paratë e kapura në makinat Toyota pjesë e këtij pazari? Dhe përse Basha e denoncoi këtë dy ditë para se aksioni të ndodhte, duke ia atribuuar një akuze ndaj një rivali politik?

Hetimet e mëtejshme pritet të hedhin më shumë dritë. Po ashtu edhe dëshmia e liderit të PD, për llogari të prokurorisë belge. /Realstory.al



Skip to toolbar