Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot (e enjte, 13 qershor) për të zhvilluar një seancë me debat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Maxhoranca ka depozituar një draft rezolutë në të cilën argumenton se Presidenti Meta përmes vendimit të tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit ka shkelur kushtetutën.
Dy ditë më parë, konferenca e kryetarëve vendosi zhvillimin e seancës me 5 orë debat, ku minutazhi do të ndahet mes grupeve parlamentare.
Në përfundim pritet miratimi i draft rezolutës dhe i nisjes së procedurave të tjera parlamentare për shkarkimin e presidentit.
Edhe ditën e djeshme nga Divjaka, kryeministri Edi Rama deklaroi se Meta e ka humbur të drejtën për të qendruar në zyrën e Presidencës.