Christoph Heusgen, ish-këshilltar për politikën e jashtme për një kohë të gjatë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe tani kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, e quajti ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2” gabimin më të madh të qeverisë gjermane në vitet e fundit.
Heusgen e tha këtë në një intervistë për “Welt am Sonntag”.
“Në vitin 2015, qeveria federale vendosi në favor të projektit të gazsjellësit gjermano-rus, sepse pas aksidentit të reaktorit në Fukushima, Japoni, Gjermania donte të braktiste energjinë bërthamore dhe gazi rus ishte zgjidhja më e shpejtë dhe më e lirë”, shpjegoi ai.
Heusgen tani pranon se politikanët gjermanë e nënvlerësuan asokohe situatën, duke kujtuar veçanërisht reagimin tallës ndaj paralajmërimit të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump në 2018 se Gjermania ishte në rrezik prej varësisë së gazit nga Rusia.
Ish-këshilltari i Merkel beson gjithashtu se Gjermania ka një “obligim moral” për të mbështetur Ukrainën, veçanërisht për shkak se Putini po mbështet në “një reduktim të mbështetjes ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa”.
Ai mbështet gjithashtu furnizimin me tanke luftarake gjermane ‘Leopard’ në Ukrainë.
Vetëm pak ditë para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Gjermania anuloi certifikimin e Nord Stream 2 dhe autoritetet gjermane kanë theksuar vazhdimisht se tubacioni nuk do të restaurohet.
Vetë Angela Merkel tha më parë se nuk e konsideron të gabuar vendimin e saj për të lejuar ndërtimin e Nord Stream-2 dhe se e ka vënë Ukrainën në një pozitë më të cenueshme ndaj Rusisë.
Ajo më vonë deklaroi se refuzimi i projektit të gazsjellësit rus nga qeveria e saj së bashku me marrëveshjet e Minsk-ut mund të çojë në një përkeqësim të padëshiruar të marrëdhënieve me Rusinë.